Pse pikërisht në PSD shkuan të dorëhequrit nga VV, flet Dardan Molliqaj

Pse pikërisht në PSD shkuan të dorëhequrit nga VV, flet Dardan Molliqaj

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se emri i kësaj partie i ka tërhequr ish-anëtarët e Vetëvendosjes.

Sipas Molliqajt, programi socialdemokrat i deputetëve që u larguan nga Vetëvendosje, duhej të lidhej me një parti me emër të tillë dhe kjo parti tashmë ekzistonte në skenën politike.

“Të gjithë ne që jemi pjesë e PSD-së i kemi diskutuar gjatë parimet mbi të cilat mund të vazhdojmë në politikë”, ka deklaruar Molliqaj në Interaktiv të KTV-së.

“Në bazë të asaj që kemi bërë publike kemi bërë të qartë që është drejtimi i majtë. Ka qenë opsioni që të jemi pjesë e PSD-së, që kishte emër pikërisht të asaj që ishim ne. Ishte krejt për shkak të emrit sepse u përcaktuam për orientim socialdemokrat”, ka shtuar ai.

Ai ka treguar përse nuk kanë formuar parti të re.

“Vlerësuam se ishte më e drejtë të ishim pjesë e një partie që ekziston. Ka pas mjaft kreativitet dhe mundësi që të krijohet parti. Duhen 500 nënshkrime që e mbështesin nismën dhe më pas çështje procedurale të cilat ne nuk i kishim mungesë. Nuk kishte të bënte as me lodhjen e njerëzve sepse njerëzit përfshihen dhe angazhohen në politikë, por ishte përcaktimi jonë që të ishim socialdemokratë në parime e vlera e donim që programin tonë ta bënim direkt me emrin, e që ishte Partia Socialdemokrate. Po të mos ekzistonte kjo parti, e them me bindje, do të bënim ne Partinë Socialdemokrate”, ka thënë Molliqaj.