Pse nuk mundemi t’i “mposhtim” lajmet rreme?

Pse nuk mundemi t’i “mposhtim” lajmet rreme?

Tre ekspertë i përgjigjien pyetjes: “A mundemi t’i mposhtim lajmet e rreme?”

Cornelius Adebahr – Analist, Carnegie Europe

Ka një përgjigje të trefishtë për këtë pyetje. “Jo. Eshtë vërtetë shumë e vështirë. Por gjithësesi duhet të përpiqemi”.

Nuk mund t’i mposhtësh lajmet e rreme, sepse gënjeshtrat kanë prirjen që të ngjisin, nëse thuhen me shpeshtësi të mjaftueshme. Truri mbërrin në një pikë ku refuzon të korrigjojë informacionin e gabuar, sidomos nëse ky është konform këndvështrimit që ke për botën. Kështu u mundësuan diktaturat në të kaluarën, dhe kështu do të mundësohen në të ardhmen.

Përpjekja për t’iu kundërvënë informacioneve të rreme mund të shndërrohet në bumerang, sepse – në një mënyrë apo në një tjetër – ti duhet që të përsërisësh akuzën fillestare. Kjo gjë influencon perceptimin e njerëzve, edhe kur ata e dinë që deklarata/akuza nuk është e vërtetë. E thënë në mënyrë më praktike, është shumë e vështirë që të mposhtësh lajmet e rreme që vijnë prej qeverisë së zgjedhur të vendit më demokratik të botës, sidomos kur këto lajme të rreme përdoren jo vetëm si parim, por edhe si taktikë për të shpërqëndruar vëmendjen nga probleme të tjera.

Pavarësisht gjithë kësaj, është e detyrueshme që të mos zhytemi në ato që dikush në administratën e re i ka quajtur “fakte alternative” – apo cilido qoftë emërtimi i mishërimit më të fundit të lajmeve alla oruelliane. Për hir të brezave të sotëm dhe të ardhshëm, mediat kryesore duhet të bëjnë sa më shumë verifikim të fakteve që të munden, të mbështetura nga qytetarë të cilëve u bëhet vonë, jo vetëm për lirinë e fjalës, por edhe për integritetin dhe ndershmërinë.

Tom Carver – Zv.President për komunikimin dhe strategjinë, Carnegie Endoëment for International Peace

Po dhe jo. Tani e tutje, lajmet e rreme do të jenë gjithmonë me ne; ato janë si një virus që udhëton përgjatë ADN-së së mediave sociale dhe internetit, dhe për sa kohë ekzistojnë platforma si Facebook dhe Tëitter, do të ketë njerëz që përfitojnë prej tyre për të përhapur lajme të rreme.

Megjithatë, ne do të gjejmë mënyra për të jetuar me to, ashtu si jetojmë me shqetësime të tjera që vetë i kemi krijuar, si ndotja dhe trafiku i ngjeshur. Shoqëritë varen prej fakteve, për funksionimin e tyre të suksesshëm, kështu që me kalimin e kohës ky fenomen do të sprapset, dhe do të bëhet gjithmonë e më e lehtë që, nëpërmjet përdorimit të mjeteve ndërmjetësues të besuar, ne të dallojmë lajmet e rreme nga lajmet e vërteta. Por kjo nuk eleminon problemin e njerëzve – veçanërisht politikanëve – të cilët do të vazhdojnë të përdorin lajme të rreme, plotësisht të vetëdijshëm se ato janë të tilla, për qëllimet e tyre.

Ryan Heath, Korrespondent për BE, Politico

Mediat kryesore dhe institucione publike DUHET të besojnë se lajmet e rreme mund të mposhten, përndryshe janë të destinuar të përfundojnë keq. A po bëjnë mjaftueshëm në këtë drejtim? Jo.

Përdorimi i forcës së butë përmes gazetarisë është gjithmonë një çështje e nxehtë. Politico nuk financohet prej organizatave publike, kështu që problemi nuk shfaqet shpesh. Për ato që financohen nga fonde publike, më e rëndësishmja është që të bëjnë gjykimet e tyre dhe të ngrejnë pyetje të vështira për pushtetin. Kjo gjë dallon gazetarët e vërtetë nga ata që përdorin instrumentat e propagandës, apo udhëzohen se çfarë duhet të shkruajnë e të thonë.

Sa për institucionet publike, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i qartë se aleanca nuk munde dhe nuk duhet “t’i përgjigjet propagandës me propagandë”. BE po bën më shumë. Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE ka një ekip, i cili ka kataloguar 2500 raste disinformimi. Por, kur gazetarët u thirrën për një seancë informuese në 23 janar, atyre nuk iu lejua që të citonin njerëzit që ekspozonin këtë disinformim. Gazetarëve iu kërkua të ekspozojnë lajmet e rreme përmes një tjetër burimi, në hije.

Mposhtja e lajmeve të rreme kërkon gazetari të shkëlqyer dhe konsumatorë që janë të gatshëm të paguajnë për të. Kërkon gjithashtu institucione publike që luftojnë disinformimin dhe financojnë gazetarinë, në vende ku ka vetëm propagandë. CARNERGIE EUROPE – www.bota.al