Pse Kosova për Clinton është sukses e për Trump, dështim

Lidhja e familjes Clinton me Ballkanin është zhvilluar në kohët më të turbullta në rajon. Si president, bashkëshorti i kandidates aktuale ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në ndërhyrjet në Bosnjë dhe Kosovë.

Pse Kosova për Clinton është sukses e për Trump, dështim

Po ashtu, gjatë kohës që ka shërbyer si sekretare e Shtetit, Clinton ka mbajtur në administratën Obama të njëjtën linjë interesi për Ballkanin, të cilin edhe e ka vizituar shpesh.

Në mëse 50 vizitat e saj në Europë, ndalesat i ka pasur edhe në Prishtinë e Tiranë.  Asgjëkund më shumë se në Shqipëri e Kosovë,  çifti Clinton nuk ka buste nëpër sheshe apo emrin të vendosur nëpër rrugë.

“NATO është një ndër investimet më të mira që Amerika ka bërë ndonjëherë, nga Ballkani deri në Afganistan e më tej”, ka thënë Clinton më 23 mars.

Por ai  nga i cili kritikët e luftës kanë pritur që të shprehet më shumë në raport me Ballkanin, është Trump. Deklaratat  e tij pa dorashka për çdo konflikt ku SHBA është përfshirë e bënë të besueshme edhe një intervistë të sajuar që u botua në serbi ku Trump kërkonte falje për bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999-ën. Stafi i tij  e përgënjeshtroi. Ndërsa e vërteta e tij, të paktën sa i takon raporteve me konfliktin mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë shfaqet eksplicite në një intervistë të tetorit 1999 në CNN me Larry King.  Në atë kohë me sa duket sapo ishin shpërfaqur edhe ambiciet e tij për president.

Debati i vitit 1999 në CNN

KING: .Për shembull, ju dhe Kosova. A do të bënit atë që bëri Clinton?

TRUMP:  Le të themi që do të veproja pak më ndryshe. E di që do të tingëllonte e tmerrshme. Por hidhini një sy  shkatërrimit që kanë shkaktuar në Kosovë. Sigurisht që unë mund të them se ne humbën shumë pak njerëz, natyrisht, i kishim avionët në ajër duke bombarduar. Por, shikoni çfarë i bënë asaj toke dhe atyre njerëzve, dhe vdekjet që shkaktuan. Nuk u shkaktuan nga ne dhe aleatë, sepse ne ishim lart në ajër. Por erdhi një moment, që duhet të futeshin trupat, në mënyrë që jo çdo kush të shkonte në kufij. a do të vriteshin njerëz? Ndoshta, por ndoshta do të kishim më pak vdekje. Dhe s’do kishim këtë shkatërrim dhe terror. Nuk e di nëse e quajnë këtë  një sukses, por unë jo.

KING: nuk e konsideroni.

TRUMP: ata bombarduan çdo gjë. Të gjithë po ikin, dhe askush s kupton se çfarë po ndodh dhe po vdesin me mijëra.

Kjo deklaratë është lexuar në mënyra të ndryshme, por shumica e opinionistëve pranojnë se nuk mund ta interpretosh se Trump është kundër Kosovës. Dikush ka hedhur idenë se Trump duhet pyetur sot se çfarë mendon. Por si qëndrim kundër luftërave, këto komente janë në një linjë me të gjitha çfarë ai ka thënë për luftërat që do të pasonin në Irak dhe Afganistan.

“Kemi bërë gabime, që nga Iraku, Egjipti, Libia, deri te qëndrimi i presidentit Obama për Sirinë. Secili prej këtyre gabimeve e ka zhytur rajonin në kaos dhe i ka dhënë hapësirë ISIS-it për tu zgjeruar. Shumë keq. Filloi me  një ide të keqe se ne  mund t i shndërronim në demokraci perëndimore, disa vende që s’kishin as eksperiencë dhe as interes që të bëheshin të tilla”, ka thënë Trump.

Në fakt qëndrimi që Trump ka ndaj  luftës vjen edhe si një sulm kundër NATO-s dhe organizmit të aleancës.  Trump thotë se aleatët nuk po kontribuojnë aq sa duhet. Vetëm 4 prej 28 shteteve anëtare përveç Amerikës, e shpenzojnë minimumi e duhur prej 2 përqind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen, ka deklaruar Trump.

Ndërsa Clinton pranon se aleanca duhet të modernizohet, se aleatë duhet të përballojnë më shumë kosto dhe se kjo aleancë e suksesshme sipas saj tashmë duhet t i bëjë ballë kërcënimeve të reja si ISIS. Por kur vjen puna tek ISIS, kandidatja demokrate thotë se do të ishte një gabim serioz nëse SHBA do të angazhohen në një luftë tjetër të kushtueshme tokësore në lindjen e mesme. Nëse kemi nxjerrë mësime nga gabimet në Iraku dhe Afganistan, thotë ajo, atëherë duhet t i lemë këto kombe të sigurojnë vetë komunitetet e tyre.

Ndërsa Trump thotë se duhet të punohet me çdo komb në rajon që kërcënohet nga ngritja e islamit radikal. Por në dy drejtime. Lufta sipas tij duhet të bëhet edhe  brenda në Amerikë dhe këtu ai përmend një ndër  qëndrimet  të cilat e kanë përfaqësuar më përfaqësuese në këtë fushatë.

Trump: Ka dhjetëra emigrantë brenda kufijve tanë të akuzuar për terrorizëm dhe ne duhet ta ndalim importin e ekstremizmit nëpërmjet politikave pa kuptim. …sa për ISIS. Ka  një mesazh për ata: i keni ditët e numëruara. Nuk do u themi si dhe kur. Si komb duhet të jemi më pak të parashikueshëm.  Nëse unë zgjidhem president, ISIS do zhduket.

Clinton flet shpesh për aleatët që e mbështesin Amerikën në Europë, në kontrast me  retorikën e Trump vërejnë opinionistët që kanë analizuar deklaratat e tyre në lidhje me politikën e jashtme. Ajo ka thënë se Europa duhet të bëjë më shumë për të monitoruar luftëtarët e huaj që kthehen në Europë nga Siria dhe Iraku, duke e konsideruar një rrezik.

Përballë tensioneve të krijuara për Sirinë dhe ISIS, Rusia ka qenë e pranishme në fushatë. Është akuzuar se ka ndërhyrë me sulme kibernetike duke spiunuar kandidaten demokrate dhe nivelet më të larta të administratës amerikane. Mes Trump dhe putin nuk kanë munguar “flirtet” politike në distancë.

Të paktën ai është një lider, jo si ata që kemi ne në vendin, tonë ka thënë Trump për Putinin. Edhe ne bëjmë vrasje.

Në lidhje me Rusinë, si sekretare shteti, Clinton nuk ka kujtime të mira. Opinionistët janë të mendimit se pavarësisht faktit se ajo i sheh si sukses negociatat për një traktat për kontrollin e armëve bërthamore dhe  Sirinë, ato kanë qenë edhe manovrat e saj diplomatike më të dështuara.

Kandidatët kanë qëndrimet e tyre edhe për çështje të mëdha ku amerikanë t janë të përfshirë tradicionalist. Për shembull për Kinën, nëse Clinton gjithnjë ka qenë e fokusuar te të drejtat e njeriut, Trump paralajmëron se SHBA duhet t’i ruhet fuqizimit ushtarak të kinës më tepër se ISIS-it. Për grushtin e shtetit në Turqi, Clinton ka qenë diplomate duke mbështetur instituconet e zgjedhura me votë, ndërsa Trump ka bërë opozitarin duke i parë edhe zhvillimet si rezultat I politikave të gabuara të administratës Obama.

Në çështjet e lindjes së mesme, direkt si sekretare apo indirekt prej familjes së saj, Clinton ka qenë e përfshirë në shumë procese paqeje. Ajo është për një zgjidhje për dy shtete, por thotë se shteti palestinez do të ekzistonte prej kohësh, nëse Jaser Arafat do të kishte rënë dakord me të shoqin Billin, në “Camp David” në vitet 90.
Pas takimit me Netanjahun në fund të muajit nëntor, Trump deklaroi se paqja do të vijë vetëm kur palestinezët të heqin dorë nga urrejtja dhe dhuna e ta pranojnë Izraelin si një shtet hebre.

Ajo është shprehur kundër Brexit duke thënë se Europa duhet të mbetet e bashkuar.  Ndërsa Trump “pro”.

Nga kjo fushatë presideciale do të mbahen mend, idetë e Trump, si ajo për të mos i blerë naftë Arabisë Saudite derisa të japë ushtarë për mësymje tokësore kundër ISIS apo idenë e lejimit të Japonisë dhe Koresë së Jugut që të ndërtojnë arsenalin e tyre bërthamor për t’u mbrojtur nga Kina dhe Koreja e Veriut. Ndërsa Clinton edhe pse në fushatë natyrisht ka ruajtur profilin e diplomates.  Siç thotë ish sekretari Kissinger, atij të cilit i drejtohen tradicionalisht të gjithë kandidatët që synojnë shtëpinë e bardhë; Në politikën e jashtme, ne identifikojmë shumë probleme thelbësore. Unë në përgjithësi nuk bie dakord me zgjidhjet, rezultatet e menjëhershme nuk kanë shumë probabilitet që të bëhen të mundura.

Kjo deklaratë e Kissinger e nxitur nga trump mund të jetë pothuaj profetike.  Në një botë të trazuar që nga Lindja e Mesme deri në Europë dhe me Rusinë në tentativa ekspansioni, një gabim në llogari do të mjaftonte për të shkaktuar  pasoja shpërthyese./TCH