Pse kemi krizë të valutës në Turqi?

Pse kemi krizë të  valutës në Turqi?

Shkruan: Berat Rukiqi, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

 

Kriza politike dhe ekonomike në Turqi, shkaktoi rekord negativ historik të vlerës se lirës turke në raport me dollarin amerikan, këtë të premte dhe rriti shqetësimet që kjo krizë në ekonominë turke do të shpërndahet në tregjet financiare, anembanë botës.

Po cila është origjina e krizës? Presidenti Erdogan ka dominuar në 15 vitet e fundit në jetën politike, ekonomike dhe kulturore në Turqi, në mes tjerash, duke marrë lëvdata dhe përkrahje nga komuniteti ndërkombetar dhe investitorët e huaj, për drejtim të suksesshëm të reformave ekonomike në vend, reduktim të inflacionit dhe rritje ekonomike rreth 60% në terma real. Por, pas dështimit të grushtshtetit, Erdogan filloi të ndryshon drastikisht mënyrën e udhëheqjes së vendit, duke rritur presionin në cdo institucion të pavarur, përfshirë edhe atë që është më shqetësuesja për investitorët e huaj, të politikbërësit e Bankës Qendore Turke.

Për të arsyetuar ndryshimin radikal dhe udhëheqjen autoritare, e vetmja rrugë e sigurtë ishte krijimi i kushteve për performancë të fuqishme ekonomike, prandaj Erdogan i shtyri bankat të kreditojnë me shumë ekonomine, ndërsa bënte thirrje të vazhdueshme për Bankën Qendrore të ul normat e interesit, për të rritur kërkesën për kredi të reja. Rezultati doli befasues. Inflacioni arriti ne 16%, ndërsa Lira turke po shënon rekorde negative, me një trend të pandalshëm të rënies të vlerës.

A ka zgjidhje Turqia për të tejkaluar krizën?

Krizat si kjo nuk ndreqen me apele për nxjerrje të “arit nga jasteku”. Këto kriza zgjidhen me mjete konvencionale: qoftë me rritje të normës së interesit për kreditim (të cilën nuk do ta lejoj Erdogan), qoftë me me një sasi të caktuar të dollarëve amerikan, që do të mundësonin të ndalnin rënien e lirës turke në tregjet ndërkombëtare, por problemi qëndron në faktin që Turqia, rezervat e veta valutore nuk i mban në dollarë, por i mban në ari, vlera e të cilit është në rënie. Pra Erdoganit, i kanë mbet pak opsione për këtë krizë. Kur politika përzihet në ekonomi, nuk të ndihmon as Zoti.

Kriza e valutes turke, nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë , do të ketë ndikime, sidomos në tregjet financiare në Evropë dhe klimën politike në Evrope. Kriza do të ketë impakt të jashtëzakonshem në marrëveshjen e Turqisë me vendet evropiane, për strehimin e refugjatëve nga Siria. Me krizën në rritje, Turqia do ta ketë të pamundshme t’i ofroj kushte këtyre refugjatëve, të cilët alternativë do ta kenë Evropën.