Pse Donald Trumpi e ka seriozisht tani

23.09.2016 20:32

Nga vlera e kolestereolit, e lartë, tek përqindjet në sondazhe, të larta edhe këto: Donald Trumpi po përjeton një moment të favorshëm në fushatën e gjatë elektorale, që do të çojë amerikanët në kutitë e votimit me 8 nëntor. Por si kemi arritur në një situatë “kokë më kokë”, midis kandidatit republikan dhe demokrates Hillary Clinton?

Pse Donald Trumpi e ka seriozisht tani

Gjatë 10 ditëve të fundit kanë ndodhur dy gjëra të rëndësishme. Të premten 9 shtator, gjatë një aktiviteti bamirësie në New York, Hillary Clintoni ka quajtur “gjysmën” e mbështetësve të Trumpit, si “banda e të shpifurve”, duke i treguar me gisht, në mënyrë eksplicite, si “racistët, seksistët, homofobët, ksenofobët, islamofobët”. Të nesërmen i është dashur të kërkojë falje.

Dy ditë më pas, gjithmonë në New York, Hillary-së i është dashur që të braktisë përkujtimin e atentateve të 11 shtatorit për shkak të një uljeje tensioni, e shkaktuar nga një polmonit, që i ishte diagnostikuar pak ditë më parë. Do të kishte mbetur një incident i vogël, sikur të mos ishte menaxhuar shumë keq nga stafi i saj – që për 1 orë e gjysmë nuk e ka sqaruar shtypin se çfarë ishte duke ndodhur, përpara se të fliste për një “goditje nxehtësie”, e më pas të shpjegonte me dy ditë vonesë se ishte polmonit – dhe sikur të mos kishte qarkulluar një video e papëlqyeshme në të cilën shihet Hillary duke ecur me vështirësi, gati të rrëzohej përtokë, para se të hipte në fuoristradën që po e largonte nga ceremonia përkujtimore (gjë që ka ushqyer ende teoritë e ndryshme komplotiste lidhur me gjendjen shëndetësore të saj).

Lajmi i fundit i dhënë nga “New York Times” dhe CBS tregon se Hillary ka humbur 6 pikë në një muaj. Në gusht udhëhiqte me 46 përqind kundrejt 41 përqindëshit të Trumpit; tani largësia është reduktuar në 46 përqind me 44 përqind. Veç kësaj, në një konfrontim potencial katërsh me kandidatin libertar Gary Johnson, në 8 përqind, dhe atë të gjelbër Jill Stein, në 4 përqind, Trumpi dhe Clintoni do të kishin nga 44 përqind secili. Një kërkim tjetër, i realizuar nga USC Dornsife – Los Angeles Times i përmbys pozicionet. Kandidati republikan është në krye me 47.2 përqind, kundrejt 41.3 të rivales demokrate.

“Në mekanizmin e presidencialeve është vendimtare shpërndarja e mbështetjes, shtet për shtet. Sipas sondazheve, Trumpi e ka kaluar rivalen e tij në dy “Swing States” – shtet e pavendosur: në Florida është përpara 47 përqind me 44 përqind dhe në Ohio 46 përqind me 41 përqind. Është interesante të kryqëzohen këto pragje me analizën e të ardhurave në vitin 2015, e shpërndarë ditët e kaluara nga Census Bureau. Në Florida, e ardhura mesatare e familjeve është 6 përqind më e ulët krahasuar me vitin 2008, nivel parakrize; në Ohio, diferenca është e barabartë me 3.3 përqind. Ndoshta kjo do të thotë se ekziston një raport midis përkeqësimit ekonomik dhe votës për Trumpin?”.

“Është një zhvillim befasues, nëse shikohet kjo fushatë elektorale me sytë e një marsiani. Në letër, Trumpi është pa shpresa: është një miliarder 70 vjeçar i bardhë, që kandidon në një vend me popullsi gjithnjë e më shumë laramane nga pikëpamja etnike dhe në pjesën më të madhe i përket klasës së mesme; është një prodhues serial gabimesh, ngecjesh, provokimesh, polemikash dhe gënjeshtrash, në një botë ku nëqoftëse tallesh me një gazetar me aftësi të kufizuara, ajo video shihet qindra-mijëra herë. Fushata elektorale e tij është menaxhuar në një mënyrë të konsideruar pak profesionale, dhe deri pak kohë më parë mund të quhej “e vdekura e gjallë”. Por papërshtatshmëria e Trumpit është ekuilibruar dhe rigjallëruar nga Hillary Clintoni, politikania e vetme amerikane që ka një përqindje jopopullariteti, të krahasueshëm me atë të Trumpit dhe një seri të gjatë gabimesh të kryera në fushatën elektorale”.

Nuk është ende krejtësisht e qartë, se çfarë lloj pasojash do të ketë mbi opinionet e votuesve rasti i polmonitit të zonjës Clinton.

“Me siguri lajmi ka ardhur me vrullin e një seriali televiziv: në fund të verës, kur amerikanët nisin t’i kushtojnë vërtet vëmendje fushatës elektorale; më pak se dy javë nga konfrontimi i parë midis kandidatëve; në përfundim të një periudhe të mirë për kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump, që po ngjitet në sondazhe”.

Polmoniti është një sëmundje infektive e shoqëruar me ethe që shfaqet në mënyrë akute dhe karakterizohet anatomikisht nga një inflamacion djerësitës i alevolave (për më tepër edhe të bronkeve më të imëta), pasi derdh në to një lëng hemorragjik mjaft të pasur me fibrin, i cili koagulon në një masë solide me ngjyrë të kuqërreme. Një person me shëndet të mirë, i kuruar me antibiotikë, shërohet nga polmoniti pa problem, në harkun e një jave.

Fëmijët dhe personat më shumë se 65 vjeç mund të kenë ndonjë vështirësi më shumë. Hillary Clinton është 68 vjeç. Po t’u përmbahesh të dhënave mbi jetëgjatësinë e uebsajtit të Social Security Administration, ka mundësi që një femër e moshës së Clintonit të jetojë edhe për 18.4 vite të tjera, që bëhen 15.2 për një 70 vjeçar si Trumpi. Të hënën e kaluar, në kanalin televiziv CNN, Hillary ka thënë: “Mendova se nuk ishte një problem kaq i rëndësishëm. Kur u ndodh njerëzve të impenjuar, vazhdojnë përpara. Kam kërkuar ta bëj edhe unë, por më është dashur të dëgjoj mjekun”.

“Në raste të ngjashme ndoshta është e natyrshme dhe bile edhe Trump do të kishte vepruar njëlloj, duke shpresuar që ta kalojë sëmundjen, pa ia vërejtur asnjeri. Por kjo konfirmon tendencën e saj për të mbajtur sekrete, që është edhe një prej motiveve kryesore të skepticizmit të votuesve”.

Në të njëjtën kohë, për ta ndihmuar, bashkëshorti Bill ka thënë se “i ka rënë shpesh të fikët në të kaluarën për shkak të dehidratimit”. Donte të minimizonte rëndësinë e këtij episodi, por kështu ka ushqyer dyshime të tjera: i bie shpesh të fikët? Atëhere problemi nuk është polmoniti i sotëm. Kështu që vetë Hillary i është dashur që ta hedhë poshtë: “Po, por më ka ndodhur jo më shumë se disa herë”. Gafa e Billit ka riushqyer komplotistët, sipas të cilëve, gruaja që shoqëronte Hillarynë gjatë ceremonisë në Ground Zero ishte në të vërtetë mjekja e saj apo një infermiere, pasi ajo e dinte se kishte probleme fizike.

Hillary Clintoni vuan nga tromboza venoze e thellë, domethënë formimi i masave të gjakut të koaguluar në vena, që nëqoftëse nuk trajtohen në kohë mund të pengojnë qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar pasoja të rënda. Në vitin 1998, kur ishte Zonjë e Parë, iu diagnostikua një koagulim gjaku në këmbën e djathtë; e njëjta gjë i ka ndodhur në 2009. Në këto raste trombozat u tretën falë ilaçeve. Në dhjetor të 2012, kur ishte Sekretare Shteti, Hillary pati një infeksion të fortë në zorrë dhe më pas u rrëzua në banjë, duke pësuar një hematomë në kokë. Mjekët i bënë analizat dhe i zbuluan një mpiksje afër me trurin, që kishte nevojë për ndërhyrjen kirurgjikale. Pas operacionit, Clintoni ishte kthyer në punë, ama duke mbajtur disa syze speciale “fresnel prism”, që kishin tërhequr vëmendjen e mediave, pasi përdoren kryesisht kur një person i shikon gjërat dyshe.

Deri më tani ka pasur një transparencë mjaft të pakët lidhur me gjendjen shëndetësore të Clintonit dhe Trumpit. Të mërkurën e kaluar kandidadi republikan ka përdorur emisionin televiziv “Dr. Oz Show” për të paraqitur një fletë me rezultatet e analizave të tij. Ka nivele shumë të mirë kolesteroli, por merr statinat. Mehmet Oz, mjeku që drejton emisionin, e ka gjetur në gjendje të mirë, përveç peshës, ku arrin 120 kilogramët dhe është në limitin e obezitetit. Por shumë detaje të analizave do të mbesin private.

Hillary Clintoni i është përgjigjur Donald Trumpit me një letër të mjekes së saj Lisa Bardack, e cila e gjykon të gatshme për të shërbyer si Presidente. Dokumenti përmban informacione tashmë të njohura, si fakti që merr ilaçin Armor për hipotiroidizëm, antistaminikun Calrinex për alergjitë dhe antikoaguluesin Coumadin për të shmangur trombozën. Veç kësaj, çertifikata tregon se në janar Hillary ka pasur një sinozit dhe të premten e kaluar ka bërë një skaner, që i ka nxjerrë praninë e një polmoniti të vogël në lobin e mesëm të djathtë, jo infektues dhe bakterial, që trajtohet me antibiotikun Levaquin. Presioni i gjakut është 100/70, pulsi 70 dhe kolesteroli 189, 103 ai i “keqi” dhe 56 ai i “miri”, pa marrë statinë. Trigliceridet janë rritur shumë, në 159.

Në rast se do të zgjidhej, Hillary do të ishte personi i dytë më i moshuar që merr postin pas Ronald Reaganit, ndërsa Trumpi do të ishte më i moshuari i të gjithëve. Ka një tendencë të brishtë që shfaqet në politikën presidenciale amerikane: mosha nuk ndikon më, si një herë e një kohë.

“Kultura amerikane e ka ripërcaktuar konceptin e moshës. Mjekësia moderne mundëson që të jetohet më gjatë dhe të qëndrohet i fortë, shumë përtej asaj që dikur konsiderohej si mosha e pleqërisë. Sot në Shtetet e Bashkuara kandidohet për presidencën kur ke arritur apo je afër të 70-ave, të treguara nga Bibla si jetëgjatësia e një personi (Psalmi 90:10)”.

Nga tetë presidentët e Shteteve të Bashkuara që kanë vdekur gjatë kohës që kanë qenë president, 4 kanë vdekur për shkaqe natyrale: William Harrison nga tifo në 1841, Zachary Taylor nga kolera 10 vite më vonë; Warren Harding pati një infarkt në 1923 dhe Franklin Delano Roosevelt, i sëmurë nga poliomieliti qysh në vogëli dhe i shtrënguar për një kohë të gjatë në karrige me rrota, nga një hemorragji intra-cerebrale gjatë mandatit të tij të katërt, më 1945. Herë të tjera në të kaluarën shëndeti i kandidatit ka pasur një rol në fushatën elektorale: në 1960 John Fitzgerald Kennedy fitoi debatin e parë të famshëm televiziv pasi kundërshtari i tij, Richard Nixon, që i sëmurë, me djersë dhe i zbehtë; në 1992, në kulm të fushatës elektorale, George H. W. Bush i volli sipër Kryeministrit të Japonisë gjatë një darke shtetërore.

Debati i parë televiziv është fiksuar për të hënën 26 shtator.

“Kur do të ndeshen të dy, a ekziston rreziku që votuesit t’i kushtojnë më shumë qeseve poshtë syrit apo kollitjes së Hillarysë, sesa kompetencës së saj për dosjet e ndryshme? Trumpi do të ngulë ndonjë aludim të keq, për faktin që ajo “nuk është në gjendje ta udhëheqë vendin”, siç bëri në të kaluarën? Gjithësesi, tema e sëmundjes do të jetë fort e pranishme në debatin e parë televiziv”. /Bota.al