Protestuesit e paktë nuk e lëkundin Ramadan Mujën nga froni

Edhe pse i shpallur i fajshëm nga gjykata për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe i vënë përballë protestave qytetare për herën e dytë, Ramadan Muja vazhdon të mos e lëshojë “Jerusalemin e PDK-së”.

Protestuesit e paktë nuk e lëkundin Ramadan Mujën nga froni

Ish-shefi i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i shtetit, duke i dhënë përkrahje Ramadan Mujës të fitojë zgjedhjet në Prizren në vitin 2009, e kishte quajtur këtë qytet si “Jerusalemin e PDK-së” duke treguar qartazi synimin e kësaj partie që me çdo kusht të qeverisë në qytetin më të rëndësishëm të Kosovës pas kryeqytetit.

Dhe, disa vite më vonë, Prizreni vazhdon të mbetet nën kontrollin e PDK-se dhe Ramadan Mujës, megjithëse ky i fundit u dënua me dy vite burgim me kusht dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për 30 muaj pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare më 13 mars të vitit 2014. Që nga ajo kohë atij i kërkohet dorëheqja. Por, ligjërisht kryetari i një komune duhet të jap dorëheqje vetëm në rast se shpallet i fajshëm edhe në shkallën e dytë dheMuja ka vendosur që të vazhdoi betejën gjyqësore .

Por, sikur të mos mjaftonte verdikti i gjykatës, Muja u përball dy herë me protesta të prizrenasve, duke e bërë atë kryetarin ndaj të cilit është protestuar më së shumti në Kosovë në këto vitet e fundit.

Fillimisht, disa ditë pas shpalljes së aktgjykimit për të, rreth një mijë protestues u mblodhën afër komunës për të kërkuar dorëheqjen e tij.  Në protestë ka pasur edhe përleshje të protestuesve me policinë dhe disa të arrestuar.

Ndërsa të mërkurën, rreth 200 qytetarë u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e tij pas vdekjes së një vajze tre vjeçare nga shembja e murit në një shtëpi të vjetër në Prizren, për renovimin e së cilës Komuna e Prizrenit është vonuar për shkak të një tenderi.

Nëna e viktimës ka fajësuar inspektoratin e komunës për tragjedinë në familjen e saj, ndërsa kryprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë rast të ketë pasur neglizhencë të autoriteteve meqë komuna ka qenë e njoftuar më herët lidhur me rrezikun që shkaktohet nga disa shtëpi të vjetra.

Por, Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, i ka thënë Insajderit se Ramadan Muja do të vazhdojë t’i qëndroj besnik votuesve të tij.

“Kryetari i Komunës vazhdon me qëndruar besnik votuesve të tij në zgjedhjet e fundit elektorale dhe konsideron se duke iu shërbyer me politika dhe me vendimmarrje administrative po e mbron interesin e qytetarëve dhe vazhdon me përmbush mandatin,” ka thënë ai.

“Ai është zëri i 36 mijë qytetarëve të cilët me votën e tyre e kanë votuar si kryetar të tyre.”

Në anën tjetër, Hajrullah Çeku nga organizata EC Ma Ndryshe që inicioi protestën, ka thënë se pushteti në Prizren nuk do të japë llogari pa pasur presion qytetar.

“Sa më shumë mobilizim qytetar, aq më pak dit të Ramadan Mujës në krye të Komunës,” ka thënë ai përmes Facebook-ut, duke shtuar se largimin e Mujës nga pushteti “e kemi obligim ndaj fëmijëve tanë.”

Protestës së thirrur nga organizata e tij i janë bashkuar edhe mbi dhjetë organizata të tjera të shoqërisë civile, organizata studentore dhe partia më e madhe opozitare në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Shkëlqim Berisha, aktivist nga Prizreni i Klubit Politik të Studentëve, organizatë që ka bashkëorganizuar protestën e vitit 2014 dhe ka përkrahur protestën e sotme, thotë se vdekja e Xheneta Gashit është tragjedi e gjithë Kosovës dhe jo vetëm Prizrenit.

Andaj, sipas tij, protestat nuk duhet ndaluar deri në shkarkimin e tij.

“Kjo për arsye se ai është i dënuar nga gjykata për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe po ashtu për shkak të keqqeverisjes në përgjithësi në Prizren”, ka thënë ai për Insajderin.

Ramadan Muja, 77 vjeç, është në krye të Prizrenit që nga vitit 2007, kur në zgjedhjet elektorale kishte arritur të mposhte Lidhjen Demokratike të Kosovës./Insajderi.com