Protestues ukrainas bastisin ambasadën ruse

Protestues ukrainas bastisin ambasadën ruse

Një grup protestuesish anti-rusë mësynë ambasadën e Moskës në Kiev orët e para të ditës së sotme.

Demonstruesit, me fytyra të mbuluara, lëshuan fishekzjarre ndaj selisë diplomatike ruse dhe përpara saj shpalosën një baner ku shkruhej:

“Ju derra rusë, nuk jeni të mirëpritur këtu. Sot po hedhim fishekzjarre, nesër do jenë raketa”.

Turma e egërsuar thërriste me të madhe: “Liri të burgosurve në Kremlin” dhe “Nuk ka për të pasur zgjedhje”.

Në Rusi mbahen këtë fundjavë zgjedhjet e përgjithshme. Për herë të parë, votimet për Parlamentin rus do të zhvillohen edhe në Krimenë e aneksuar nga Moska në 2014-n.

Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk e njeh gadishullin ukrainas si pjesë të Rusisë, por kjo s’ka shanse të ketë ndonjë ndikim.

Ndërkohë, nga Kirgizistani ku ndodhet për një vizitë, presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se, “me rastin e zgjedhjeve ka pasur tentativa të pastra për manipulimin e opinionit publik”.