Dosjes s�" />

#Protestoj nuk ndalet pas dorëheqjes së Grabovcit, mbanë protestën e pestë

#Protestoj nuk ndalet pas dorëheqjes së Grabovcit, mbanë protestën e pestë

Qytetarët e Pavarur kanë mbajtur protestën e pestë kundër krimit të organizuar e korrupsionit, protestë kjo e iniciuar pas publikimit të Dosjes së Shefave nga Insajderi – një seri përgjimesh telefonike që dëshmojnë se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit.

Ashtu si në protestat e kaluara, qytetarët u mblodhën në sheshin Zahir Pajaziti nga ku marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.  Gjatë marshimit janë dëgjuar brohoritjet tashmë të zakonshme si “Poshtë qeveria”, “me hajna nuk ka shtet” e të tjera.

Pasi kanë qëndruar për rreth 15 minuta afër ndërtesës së Qeverisë, protestuesit kanë gjuajtur qese uji në drejtim të qeverisë.  Në një protestë të kaluar, ata kanë gjuajtur me letra tualeti.

turm

Kjo është protesta e parë që kur Adem Grabovci, protagonist i përgjimeve, dha dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.  Ai ka pranuar se dorëheqja e tij vije si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve, pasi që sipas tij, “këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.

Por, organizatorët kanë thënë ditë më parë se dorëheqja e tij nuk mjafton duke e quajtur lëvizjen e Grabovcit si lojë të kësaj partie.

Para gati tre javësh, Gazeta Online Insajderi ka filluar publikimin e një serie telefonatash të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së – përfshirë këtu edhe kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi, aktualisht president i vendit.  Aty dëgjohen zyrtarët e lartë të kësaj partie duke vendosur për njerëzit që do të punësohen në institucione publike e të pavarura të vendit.