Olluri: Presioni kundër aferave korruptive ka dhënë rezultate

Olluri: Presioni kundër aferave korruptive ka dhënë rezultate

Grupi i qytetarëve #Protestoj, që ka mbajtur mbi 10 protesta kundër krimit e korrupsionit në disa muajt e fundit, organizoi të enjten një diskutim publik në sheshin Zahir Pajaziti, nga ku panelistët e ftuar u pajtuan për të vazhduar presionin ndaj parregullsive që bëhen nga qeverisja aktuale.

Protestat e këtij grupi filluan pas publikimit të përgjimeve të “Dosjes së Shefave” nga Gazeta Insajderi, një seri përgjimesh të zyrtarëve të lartë të PDK-së përmes së cilave dëshmohet se si kjo parti e shtrinë ndikimin e saj në institucionet publike e të pavarura të vendit. Andaj, diskutimi i sotëm u fokusua kryesisht duke u bazuar në të dhënat e publikuara në këtë seri hulumtimesh.

Besa Luzha, njohëse e çështjeve politike dhe aktiviste e shoqërisë civile, tha se në situatën kur institucionet nuk janë duke bërë sa duhet në luftën ndaj korrupsionit, protestat e organizuara muajeve të fundit bëjnë që t’ia “hapin sytë qytetarëve” lidhur me aferat korruptive.

Ajo ka kërkuar që të ketë angazhim edhe më të madh të qytetarëve për të kundërshtuar aferat korruptive.

“Ne duhet të bëjmë presion deri sa të ketë rezultate,” ka thënë ajo.

Igballe Rogova, aktiviste e të drejtave të grave, po ashtu ka thënë se presioni qytetar duhet të vazhdojë.  Sipas saj, pushtetarët të cilët janë të përmendur në aferat e Dosjes së Shefave “kanë frikë nga ne.”

“Ne nuk duhet të dorëzohemi. Unë i përshëndes edhe gazetën Insajderi dhe grupin #Protestoj për iniciativën dhe punën e tyre. Nuk duhet të dorëzohemi as në shi as në borë, edhe përkundër numrit të vogël të atyre që marrin pjesë në këto iniciativa,” ka thënë ajo.

Parim Olluri, drejtor i Gazetës Insajderi, ka thënë se është i kënaqur që hulumtimet e gazetës që ai drejton së bashku me #Protestoj arritën që të largojnë Adem Grabovcin nga pozita e Grupit Parlamentar të PDK-së.  Ai e ka cilësuar këtë si suksesin më të madh deri më tani gjatë këtij viti.

Ai ka folur edhe për një aktakuzë të mundshme ndaj Grabovcit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së, të cilët janë duke u hetuar nga prokuroria, duke thënë se ka interes të disa personave që të mos ngritet ajo aktakuzë.  Kjo sepse siç thotë ai, “për shkak të ruajtjes së pozitave të tyre nëpër institucione e ndërmarrje publike.”

“Mund të ketë interesa të disa njerëzve qe edhe nëse ngritet aktakuza e nëse dënohet në shkallën e pare, apeli ta shfuqizoj vendimin apo ta zbut dënimin deri në falje. Por, e jona bashkërisht është që të vazhdojmë të tregojmë të vërtetat e keqpërdorimeve të ndryshme në vazhdimësi,” ka thënë ai.

“Jemi vet na vendorët që mund të bëjmë ndryshime e jo të presim prej ndërkombëtarëve,” ka thënë Olluri.

Ai paralajmëroi se Inasjderi pritet që brenda muajit të ardhshëm do të fillojë publikimin e një seri tjetër të përgjimeve.

Diskutimi i organizuar në shesh është përcjellë nga disa dhjetëra qytetarë./Insajderi.com