#Protestoj: Drejtësia nuk përfundon me Grabovcin

#Protestoj: Drejtësia nuk përfundon me Grabovcin

Grupi qytetar #Protestoj nëpërmjet një komunikatë gjatë ditës, ka potencuar edhe njëherë faktin se drejtësia për politikanët e përfshirë në “Dosjen e Shefave” nuk përfundon me Adem Grabovcin, kryepersonazhin e përgjimeve të publikuara nga Insajderi.

“Si rezultat i presionit qytetar, sot Adem Grabovci ndodhet në prokurori. Kjo na mbushë me besim në kauzën tonë të drejtë dhe në fuqinë e qytetarit që të ketë ndikim drejtpërdrejtë në ndaljen e korrupsionit dhe krimit në vend”, thuhet në këtë komunikatë.

Një politikan si ai, vazhdon komunikata, që në mënyrat më përçmuese ka shkelur ligje, rregulla dhe procedura duhet t’i “nënshtrohet të gjitha formave të drejtësisë dhe llogaridhënies”.

“Paprekshmërisë së njerëzve të tillë i ka ardhur fundi. Qytetarët e Kosovës nuk do të tolerojnë njerëz që rrezikojnë të ardhmen, integritetin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe dinjitetin e secilit nga ne”, thuhet në komunikatë.

Mirëpo kjo as për së afërmi nuk mjafton, për grupin qytetarë.

#Protestoj nuk do të ndalet deri sa të sigurohet që të gjithë ata që janë përfshirë në aferën “Pronto” të marrin dënimin e merituar, dhe të largohen nga skena politike ku ata i shkaktojnë dëme marramendëse vendit tonë”, thuhet në këtë reagim.

#Protestoj ka kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e menjëhershme nga çfarëdo posti publik të të gjithë personave të përfshirë në skandalet e përgjimeve dhe hetim penal ndaj tyre.

“Kërkojmë shkarkimin e të gjitha bordeve dhe rizgjedhjen e tyre, nën vëzhgimin tonë. Protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave tona”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com