Protestave në gjashtë qytete të Kosovës i bashkëngjitet vetëm një kryetar komune

Insajderi

Insajderi Agron Canolli

11.01.2017 17:41

Qytetarë të shumtë në gjashtë qytete të ndryshme kanë dalë sot nëpër rrugë për të protestuar kundër arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë. Por këtyre protestave iu bashkëngjit vetëm një kryetar komune. Të tjerët që munguan kanë histori jo fort të mira me liderin e AAK-së. Bile me njërin prej këtyre kryetarëve, Haradinaj e ka paditur për shpifje

Protestave në gjashtë qytete të Kosovës i bashkëngjitet vetëm një kryetar komune

Me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë” qytetar të shumtë në gjashtë qytete të ndryshme të Kosovës kanë protestuar sot duke kërkuar lirimin e ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili është arrestuar me 4 janar në Francë me fletë arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2014.

Qytetarët e shumtë kanë mbushur qytetet e Pejës, Gjakovës, Ferizajt, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjilanit duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Tiranë dhe Shkup. Kurse javën e kaluar një e tillë është organizuar në Prishtinë menjëherë pas arrestimit të Haradinajt.

Këto protesta vijnë një ditë pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë pas 10 orë diskutimesh.

Protestave nëpër qytetet e ndryshme të vendit u janë bashkuar edhe deputetë të partisë së Haradinajt, por aty kanë munguar kryetarët e komunave.

tirane

I vetmi kryetar komune që i është bashkangjitur protestës është ai i Mitrovicës, që vjen nga radhët e AKR-së, partisë së Behxhet Pacollit.

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e cilësoi si të padrejtë mbajtjen e Haradinajt në paraburgim duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij, pa asnjë kusht.

Kërkesa të njëjta patën edhe protestuesit në Gjilan. Por në protestë nuk doli kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ani pse nëpërmjet Facebook-ut e mbështeti protestën.

Në vend të tij, në protestë doli nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu,njëherësh  kryetar i AAK-së në Gjilan i cili potencoj se “janë mbledhur jo për ndonjë kauzë politike por për kauzë kombëtare”.

E nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, arrestimin e liderit të partisë së tij e konsideroj si mesazh që institucionet e Kosovës të veprojnë si shtet.

Në protestën e mbajtur në Prizren, mungoi kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja nga PDK-ja ani pse janë në koalicion lokal me partinë e Haradinajt.

prizren

Edhe në Gjakovë mungoi kryetarja e kësaj komune Mimoza Kusari-Lila e cila me AKR-në ia kishte marrë pushtetin  AAK-së në këtë komunë. Madje në korrik të vitit të kaluar, duke folur në emisionin “Personale” në TV Dukagjini, Kusari-Lila e kishte quajtur Haradinajn një lider që nuk ka vizion për të ardhmen që i duhet Kosovës.

Në protestë nuk doli as Muharrem Sfarqa, kryetar i Ferizajt, ani pse ai kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në konferencën rajonale të World Bank – Austria Urban Partnership Program, me titull “Qytetet me integritet”, e cila do të mbahet në Beograd më 30 dhe 31 të këtij muaji, për shkak të ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë.

Ndërsa Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës, i cili në nëntor të vitit 2015 e kishte akuzuar Haradinajn se bashkë me njerëzit e tij është duke bërë para nga benzina dhe lojërat e fatit. Deklarimet e Muhaxherrit ishin publikuar në gazetën e përditshme austriake, “Der Standard”.

mulaj

Pak ditë pas kësaj interviste, Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes mbrojtësit të tij Arianit Koci e ka dorëzuar sot në gjykatë padinë kundër kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, padi kjo kundër shpifjes dhe fyerjes.

Beteja mes Muhaxherit dhe Haradinajt ende nuk ka filluar në gjykatë, por Haradinaj duhet ta përfundoj një betejë tjetër para se të nisë betejën me Muhaxherrin.

E vendimi për Haradinajn në Francë pritet të merret nesër.

Një gjykatë në Paris do të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin apo jo në Serbi të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj./Insajderi.com