Protestat për Ditën e Grave në Amerikë

08.03.2017 13:49
Protestat për Ditën e Grave në Amerikë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, shumë femra në Amerikë e tërheqin vëmendjen tek roli i tyre në vendet e punës, e pikërisht këtë rast shfrytëzoi dhe një firmë e Wall Street-it për një gjest të ngarkuar me simbolizëm: vendosjen e statujes së një vajze të vogël përpara strukturës së famshme të bronxtë të demit në qendër të Manhatanit.

Përballja e demit masiv me një vogëlushe që e sheh me duart e mbledhura në brez dhe një vështrim sfidues ishte një mënyrë për të tërhequr vëmendjen tek mungesa e diversitetit në bordet e korporatave dhe hendekut të pagave mes femrave dhe meshkujve që punojnë në shërbimet financiare.

“Ajo që ne dimë është se gratë përbëjnë gati gjysmën e popullatës, janë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes ekonomike, megjithatë në korporatat e Amerikës ato janë të keqpërfaqësuara në nivel ekzekutiv. Ne mendojmë se në këtë mënyrë po humbasim mundësinë për t’i fuqizuar gratë e për t’i lejuar të aspirojnë në çdo drejtim ku mund te japin kontributin e tyre”, thotë Lori Heinel nga “State Street Global Advisors”.

Shumë amerikanë zgjodhën që 8 Marsin ta kalojnë në shtëpi dhe të bojkotojnë punën, e kjo ka bërë që në disa shkolla mësimi të pezullohet. Atyre që nuk ja lejojnë dot vetes të mos paraqiten në punë, organizatorët e nismës i kërkuan që të paktën gjatë kësaj dite, blerjet t’i bëjnë vetëm në biznese të zotëruara nga gra, ose të vishen me të kuqe.