Protestat e shqiptarëve në mbrojtje të serbëve nga nacionalizmi i rremë i Beogradit

Insajderi

Insajderi Mehdi Mulaj

29.03.2017 12:19
Protestat e shqiptarëve në mbrojtje të serbëve nga nacionalizmi i rremë i Beogradit

Paralajmërimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do ta vizitojë Kosovën për të bërë fushatë për zgjedhjet presidenciale, ka aktivizuar serbët lokalë që t’i përgjigjen thirrjes. Nga e kaluara është parë se zyrtarët e Serbisë, në çdo vizitë që ua kanë bërë serbëve lokalë në Kosovë, kanë mbajtur fjalime politike me mesazhe nacionaliste.

Banorët shqiptarë në disa komuna nëpër Kosovë, me theks të veçantë në fshatrat ku banojnë edhe serbët, kanë organizuar protesta, duke bllokuar rrugët, me arsyetimin që serbëve t’ua pamundësonin pjesëmarrjen në mitingun elektoral të planifikuar në Leposaviq.

Qeveria e Kosovës i kishte dhënë leje Vuçiqit për fushatë në Kosovë, por vetëm për tri orë. Kjo ka pezmatuar atë, i cili më pas e anuloi vizitën duke thënë se nuk i pranon kushtet e Prishtinës.

Por Vuçiqi është kujdesur që serbët lokalë në Kosovë të mos mbeten duarthatë. Atyre ua çoi drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe dy ish-ministra, Nikola Selakoviq dhe Bratislav Gashiq.

Protesta e shqiptarëve kishte për qëllim që t’i mbronin serbët lokalë nga mbushja me urrejtje dhe nacionalizëm të rremë nga Beogradi.

Një protestë e tillë është mbajtur sot në hyrje-dalje të fshatit Hoçë të Rahovecit, i cili është i banuar me shumicë serbe.

Pankartat që mbanin në duan nuk tregonin urrejtje ndaj serbëve.

“Ju i përkisni këtij vendi dhe jo Viçiqit”, “Vuçiq na lëtë rehat”, “Kosova është e të gjithëve”, ishin disa nga pankartat e protestuesve në Hoçë.

Pas pak kohe është liruar rruga.

Edhe në udhëkryqin e fshatit Llabjan në magjistralen Prishtinë-Gjilan, është bllokuar rruga nga protestuesit.

“Ta ndërtojmë bashkë Kosovën”, ishte njëra ndër pankartat tjera aty.

Për ta parandaluar një gjë të tillë, ishin organizuar edhe protesta tjetër në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Edhe këtu ishin mesazhe të njëjta “Vuçiq na lë rehat”, “Ju i përkisni këtij vendi dhe jo Vuçiqit”.

Aksion i ngjashëm ishte marrë edhe në fshatin Padalishtë të Istogut, në të cilin fshat ka banorë serbë. Kjo është konfirmuar edhe nga policia e Pejës.

“Këta persona kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve . Gjithashtu këta persona kanë mbajtur në duar flamuj të shtetit Kosovës dhe Bashkimit Evropian , si dhe pankarta  me mbishkrime ” Vuçiq na lër të qetë “, “Ta ndërtojmë Kosovën së bashku” dhe pankarta me mbishkrimin ‘Ju i përkisni këtij vendi e jo Vuçiqi’ etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme gjatë protestimit dhe protesta ka kaluar pa problem, me ç’rast edhe rruga është liruar për qarkullim.

Serbia është në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 2 prill të këtij viti. Ndër kandidatët është edhe kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com