Protesta në Maqedoni për arrestimet

Protesta në Maqedoni për arrestimet

Menjëherë pas arrestimit të ish kreut të Byrosë së Sigurisë Publike Mitko Çavkov, deputetit aktual të VMRO-DPMNE-së, dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në ngjarjen e 27  prillit, ka reaguar VMRO-ja duke e quajtur aksionin goditje anti-shtetërore të Zoran Zaevit.

“Policia hyri në shtëpitë e deputetëve të VMRO-së, anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ish zyrtarëve të partisë dhe të personave të tjerë publik. Policia me urdhër të Zoran Zaevit nuk ka respektuar imunitetin e deputetëve, por thjeshtë urdhrat politik për përballje me ata të cilët mendojnë ndryshe”, thuhet në reagimin e parë të VMRO-së pas arrestimeve masive.

E mbështetësit e VMRO-DPMNE-së i janë përgjigjur thirrjes së kësaj partie për të dalë të protestuar kundër arrestimit të 36 personave që akuzohen lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend mbrëmjen e 27 prillit. Protestuesit janë mbledhur para Gjykatës Penale ku deputeti Kërste Mukovski u soll me pranga në duar.

Ndërsa kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në konferencë për media akuzoi se pushteti aktual po i lë të lirë kriminelët e vërtetë dhe po arreston ata të cilët kundërshtuan Platformën e Tiranës. Gruevski kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve