Protesta kundër Grabovcit zhvendoset para Prokurorisë

15.09.2016 23:28
Protesta kundër Grabovcit zhvendoset para Prokurorisë

Grupi i qytetarëve që po protestojnë kundër skandalit që doli nga përgjimet e publikuara në të cilat protagonist është Adem Grabovci, do të zhvendoset te Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Atje do të kundërshtojnë paraqitjen e padinjitetshme të Adem Grabovcit në prokurori për intervistim.

“#PROTESTOJ ju njofton se më 16 shtator 2016, në ora 10:30 para zyrës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë do ta realizojë një aksion lidhur me paraqitjen e padinjitetshme të Adem Grabovcit në prokurori për intervistim”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.

Adem Grabovci dje në intervistimin që ka pasur në Prokurori ka zgjedhur heshtjen, sepse ashtu e kishte këshilluar avokati i tij, por para gazetarëve ka thënë se “në Prokurori ka shkuar për të bërë disa emërime”.

Grupi i qytetarëve ka organizuar deri tash disa protesta në kryeqytet. Grabovci ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, por jo edhe nga pozita e deputetit apo nga ato që mban në parti./Insajderi.com