Protesta kundër gjuhës së urrejtjes

20.08.2017 11:03
Protesta kundër gjuhës së urrejtjes

Mijëra protestues kundër racizmit kanë marshuar mbrëmë në qendër të Bostonit, ku aktivistët e krahut të djathtë duket se kishin planifikuar një tubim, një javë pasi një demonstratë në Sharllotsvill në Virgjinia, përfundoi me dhunë vdekjeprurëse.

Raportohet se dhjetëra persona të së djathtës, që ishin mbledhur në një park të Bostonit, janë larguar një orë pasi kishte filluar një tubim për Liri të Shprehjes.

Në pamjet televizive shihej se si policia i përcillte pjesëmarrësit, ndërsa kundërprotestuesit e zemëruar ishin përleshur me oficerët e armatosur në përpjekje për ta mbajtur rendin, ka raportuar agjencia AP.

Organizuesit e tubimit për Liri të Shprehjes thanë se ata nuk do të heqin dorë nga platforma e racizmit ose jotolerancës.

Shumë kundërprotestues mbanin fotografinë e aktivistes, Heather Heyer, e cila u vra kur një person me makinë e goditi turmën, që merrte pjesë në një protestë kundër së djathtës ekstreme dhe neonaziste më 12 gusht, në Sharllotsvill të Virgjinias.

Policia e Bostonit ka njoftuar se mbrëmë janë arrestuar 27 vetë, shumica prej tyre për shkak të sjelljeve të parregullta dhe disa për sulm dhe lëndime trupore.

Tubime janë mbajtur edhe në qytetet e tjera në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ato në Dallas, Ostin, Teksas, Atlanta, Kaliforni dhe Nju Orliens, shkruan REL.

Autoritetet kanë raportuar se në shumicën e lokacioneve aktivistët kundër racizmit ishin në numër shumë më të madh se pjesëmarrësit e marsheve të krahut të djathtë.

Presidenti amerikan, Donald Trumpm, e ka lavdëruar policinë në Boston.