Ministria e Financave do të jetë njëra nga dikasteret qeveritare që do të udhëhiqen prej Partisë Demokratike të Kosovës, në Qeverinë Haradinaj. Ambiciet për të qenë në krye të Ministrisë së Financave nuk i ka fshehur as ish-ministri nga radhët e PDK-së, Besim Beqaj.
Beqaj nuk e ka mohuar dëshirën të pasur një post qeveritar. Në një prononcim për portalin Lajmi.net, ai ka thënë se është i gatshëm për çdo deturë që i caktohet nga partia.
“Nuk mund t’iu konfirmoj asgjë, kur të bëhen emërimet do ta kuptoni. Normalisht jam i gatshëm për çdo detyrë që ma cakton partia të merrem”, ka thënë shkurt Besim Beqaj.
Ministritë e tjera që pritet të drejtohen nga PDK-ja janë: Ministria e Drejtësisë, e Diasporës, e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës dhe Ministria për dialog.
Ish-ministri i Financave, Beqaj, ka qenë një nga zyrtarët e lartë të PDK-së që u bën protagonistë në Dosjen e Shefave, një seri përgjimesh telefonike, përmes të cilave konfirmohet ndërhyrja e tyre për të “sistemuar” njerëzit e afërt të PDK-së në pozita të ndryshme udhëheqëse, përfshirë edhe agjencitë e pavarura, Policinë e Kosovës e të tjera.
Në njërën nga këto biseda, vërtetohet se Beqaj kishte pasur “dorë” në emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të PTK-së, pas dorëheqjes së Shyqri Haxhës.
Beqaj ka qenë Ministër i Zhvillimit Ekonomik në kohën kur ka dështuar procesi i privatizimit të PTK-së dhe kur janë bërë akuzat së kjo kompani po bëhej gati t’i shitej një kompanie fantome.
Ai kishte marrë kritika edhe për çmimin e privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike tek kompania KEDS.
Në zgjedhjet e vitit 2014, ai kishte dështuar të mbledhë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në kabinetin e Qeverisë Mustafa, Ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti, ndërsa Beqajt nuk i ishte ofruar post qeverisës. /Insajderi.com