Protagonisti i përgjimeve pritet të bëhet sërish ministër

Megjithëse ende nuk është e qartë nëse koalicioni PAN ka votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë, një ish-ministër qeveritar tashmë është përmendur si emër i mundshëm ta gëzojë postin e ministrit edhe në kabinetin e Ramush Haradinajt.

Protagonisti i përgjimeve pritet të bëhet sërish ministër

Besim Beqaj, ish-Ministër i Financave, mund të rikthehet sërish në pozitën e Ministrit, nëse koalicioni PAN arrin që të formojë qeverinë në ditët e ardhshme.

Emri i tij është përmendur në Partinë Demokratike të Kosovës për të marrë sërish post.

“Besim Beqaj është i përmendur, se është një figurë, e njeh punën, dhe ka qenë edhe më herët Ministër i Financave dhe e ka kryer punën mirë”, ka thënë Hajdar Beqa, deputet i PDK-së, kur është kërkuar të konfirmojë një informacion të Insajderit se Besim Beqaj është favorit për të marrë post ministror.

Megjithatë, sipas Beqës, fjalën e fundit rreth emërimit të ish-minsitrit do ta thotë kryesia e partisë.

“Nuk kam informata konkrete, por ai është person kredibil dhe personi ma i duhur. Si deputet do ta ketë mbështetjen time. Por, këto janë autorizime të partisë dhe edhe të kryetarit, që është i autorizuar nga këshilli drejtues të partisë”.

“Besim Beqaj është i përmendur se është një figurë por ka qenë edhe më herët Ministër i Financave dhe e ka kryer punën mirë, ka shtuar ai.

Ish-ministri i Financave, Beqaj, ka qenë një nga zyrtarët e lartë të PDK-së që u bën protagonistë në Dosjen e Shefave, një seri përgjimesh telefonike, përmes të cilave konfirmohet ndërhyrja e tyre për të “sistemuar” njerëzit e afërt të PDK-së në pozita të ndryshme udhëheqëse, përfshirë edhe agjencintë e pavarura, Policinë e Kosovës e të tjera.

Në njërën nga këto biseda, vërtetohet se Beqaj kishte pasur “dorë” në emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të PTK-së, pas dorëheqjes së Shyqri Haxhës.

Nuredin Krasniqi ishte caktuar në atë pozitë me nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Beqaj dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Ai, së bashku me Thaçin e Grabovcin do t’ia diktonin Bordit të PTK-së, që vazhdon të drejtohet nga Rexhë Gjonbalaj,  emërimin e Nuredin Krasniqit për ushtrues detyre. Krasniqi  është mik i afërt i Xhavit Halitit.

Poashtu, Beqaj kishte marrë autorizime nga Thaçi që të menaxhonin si të donin edhe pozitat në Trainkos dhe Infrakos.

Bazuar në këto autorizime, tashmë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Beqaj, kishin prishur konkurset në këto institucione për Borde dhe për kryeshefë ekzekutivë.

Dy krerët e lartë të PDK-së, kishin qëllim që të sillnin njerëzit e tyre. Agron Thaçin, që vazhdon ta mbajë pozitën e kryeshefit të Infrakosit, e kishin përzgjedhur për këtë pozitë si njëri të besueshëm që do të punonte për interesat e tyre.

Beqaj ka qenë Ministër i Zhvillimit Ekonomik në kohën kur ka dështuar procesi i privatizimit të PTK-së dhe kur janë bërë akuzat së kjo kompani po bëhej gati t’i shitej një kompanie fantome.

Ai kishte marrë kritika edhe për çmimin e privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike tek kompania KEDS.

Në zgjedhjet e vitit 2014, ai kishte dështuar të mbledhë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në kabinetin e Qeverisë Mustafa, Ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti, ndërsa Beqajt nuk i ishte ofruar post qeverisës.

Nesër pritet që të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, ku pritet të bëhet zgjedhja e kryetarit, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse koalicioni PAN ka votat e mjaftueshme fillimisht të zgjedhe kryetarin e pastaj të vazhdoj me krijimin e Qeverisë./Insajderi.com