“Kryetari i Kuvendit duhet të jetë fytyrë unifikuese”

“Kryetari i Kuvendit duhet të jetë fytyrë unifikuese”

Korab Sejdiu i cili ka dituar mandatin e deputetit për Kuvendin e Kosovës, ka thënë se bisedimet mes koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur një progres të caktuar dhe beson që do të arrihet një koalicion mes tyre.

“Lidhur me bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur disa takime, kanë qenë në nivel programor, është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni te koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Sejdiu për Ekonomia Online.

Sejdiu përsëriti edhe një herë se koalicioni në të cilin ai bën pjesë nuk do të votojë formimin e qeverisë nga koalicioni PAN.

Përveç kësaj, ai tha se po presin që koalicioni fitues të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do ta votojnë apo jo.

Mirëpo, ai pret që kushdo që propozohet të jetë fytyrë unifikuese e Kuvendit.