Propozimi i Nait Hasanit për shkurtimin e dënimeve me burg

25.03.2017 10:09

Një ndryshim ligji i propozuar nga deputeti Nait Hasani, që i siguron çdo të dënuari llogaritjen e 24 orëve të mbajtjes së burgut si 36 orë, ka ngjallur frikën e keqpërdorimit të tij në dobi të kriminelëve.

Propozimi i Nait Hasanit për shkurtimin e dënimeve me burg

Vitet e kaluara në burg gjatë kohës së regjimit serb, kanë qenë vendimtare për deputetin Nait Hasani, për të propozuar një amandament të një projektligji, që siguron shkurtimin e kohëzgjatjes së dënimit të të burgosurve për rreth 1/3-ën.

Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, që nga Ministria e Drejtësisë i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim, parasheh që çdo të arrestuari llogaritjen e 24 orëve të mbajtjes së burgut si 36 orë të kryerjes së dënimit.

Por, ky propozim ka ngjallur reagime për shkak të mundësisë së keqpërdorimit të tij, ndërkohë që Hasani vazhdon ta mbrojë atë. Tregon arsyet që e kanë nxitur këtë nismë të tij.

“Unë kam qenë pjesë e burgjeve, kam jetuar me të burgosur për 10 vite. Ajo që më kë shtyrë është ndjenja që ata ë burgosur që çfarëdo vepre që kanë bërë, nga ato në afekt që i kanë bërë deri tek ato të qëllimshme, momentin që e kalojnë një afat kohor në burgje, ose përmirësohen, ose nuk përmirësohen më kurrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i burgut “nuk është shkatërrimi i jetës së njeriut, por përmirësimi apo kthimi në jetë i tyre”.

“Nëse ne duam t’i kthejmë atë njerëz, t’i bëjmë të aftë për shoqëri, ne duhet t’iu japim mundësi që ata ta shohin që shteti kujdeset për ta, jo shteti t’i shkatërroj”, ka shtuar ai.

Propozimi i deputetit Hasani ka nxitur reagimin e ashpër të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Kurse, Partia më e madhe opozitare, Vetëvendosje, ka thënë se nuk do ta përkrahë këtë nismë.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, i ka thënë Insajderit se nuk ka pasur debat të mjaftueshëm lidhur me këtë nismë.

“Amandamenti në fjalë është tejet i përgjithshëm dhe jo i arsyetuar mirë. Nuk e di nga kush është marrë kjo praktikë por unë nuk kam has ndonjë vend te BE qe 24 orëshin ne burg e llogarisin 36, përveç paraburgimin. Për shkak që kjo çështje nuk është diskutuar dhe amendamenti në fjalë është i përgjithshëm dhe jo i arsyetuar mirë, nuk mund të përkrahet,” ka thënë ajo.

Haxhiu, e cila po ashtu është kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ka shprehur brengën se një ligj i tillë do të mund të keqpërdorej.

“Rreziqet dhe pasojat e te njëjtit mund të jenë të mëdha, duke e pasur parasysh që me këtë amendament 36 orë i llogaritet edhe një pedofili, krimineli ordiner apo dhunuesi. Ajo për çfarë kanë të drejtë të burgosurit është ligji për amnisti me anë të së cilit do të amnistoheshin kategori të caktuara të veprave penale, por po ashtu fuqizim i panelit për lirim me kusht”, ka shtuar Haxhiu.

Ambasada Amerikane në Kosovë, përmes një reagimi publik, kishte thënë se “fuqimisht kundërshton” amendamentin e propozuar.

“Kjo po ashtu do të thotë se një trup politik – Kuvendi – është duke e shpallur të gabueshëm çdo vendim të pavarur juridik që rezulton me mbajtje të burgut, dhe se çdo dënim me burg në të ardhmen do të jetë më i shkurtër se sa ai që e vendos gjyqtari”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Hasani: Amerikanët kanë qasje tjetër pas 11 shtatorit

Duke iu përgjigjur reagimit të Ambasadës Amerikane, deputeti Nait Hasani ka thënë se amerikanët kanë qasje më ndryshe ndaj të burgosurve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Ata mendojnë në forma të tjera të reagimit. Ambasada Amerikane ka reaguar sepse nuk është në qarqet e proceseve tona brenda, të mentalitetit tonë, të zhvillimit tonë”, thotë ai,

“Ata i shohin reagimet e veta të ekzekutimit të terrorizmit dhe ata në atë formë reagojnë sepse ata janë të mbushur prej 11 shtatorit”.

Sipas Hasanit, amendamenti i propozuar vlen për çdo të dënuar. Thotë se disa persona mund të mos arrijnë të përfitojnë nga kjo për shkak të sjelljes së tyre të keqe. Shton se kjo çështje duhet rregullohet me akte nënligjore specifike.

Ministria e Drejtësisë heq përgjegjësinë nga vetja

Insajderi ka kërkuar një vlerësim edhe nga Ministria e Drejtësisë lidhur amandamemantet e propozuara në Ligjin për Sanksionet Penale, por kjo ministri nuk ka dashur që të komentojë.

Ministria vetëm ka thënë se e kanë dërguar projektligjin për miratim në Kuvendin e Kosovës, duke hequr kështu çdo përgjegjësi nga vetja lidhur me rezervat e shprehura ndaj ligjit.

“Lidhur me pyetjet tuaj ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë ka dërguar Projektligjin ne Kuvend pas konsultimeve me te gjithë akterët duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare. Amandamenti te cilit i referoheni nuk është propozuar nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e MD-së./Insajderi.com