Pronari i biznesit që importoi mish të dyshimtë kërkon falje për kërcënimin ndaj Insajderit

Pronari i biznesit që importoi mish të dyshimtë kërkon falje për kërcënimin ndaj Insajderit

Pronari i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa që kishte kërcënuar gazetarët e Insajderit me vrasje për shkak të publikimeve se kompania e tij kishte eksportuar mish të prishur nga Belgjika ka kërkuar falje publike ekipit të Insajderit.

Skandali me mish të prishur që kishte shpërthyer në Belgjikë javë më parë kishte prekur edhe Kosovën kur kompania e Jupës dhe një kompani tjetër kishin eksportuar mish të prishur në vendin tonë.

Jupa ishte larguar nga Kosova, ndërsa vetëm sot është arrestuar nga organet shtetërore teksa ka kërkuar falje publike për kërcënimin që i ka bërë ekipit të Insajderit.

“Unë kërkoj falje publikisht që i kam kërcënuar gazetarët, shumë e vërtetë është. Se mua kur më ka thirrur vajza prej shkollës ‘babi çka je tu bo’, unë si të thash në këtë gjendje që jam unë prapë  them  më ka ardh qetu edhe e thirra dhe ju thash pse s’po shënonin me kërkuar falje se ne nuk jemi fajtorë për këto.  Edhe me plasi stresi i madh, shumë nervoz edhe i kam sharë”, ka thënë Jupa në një prononcim për Kallxo.

Videon mund ta gjeni : Këtu

Ndonëse ka pranuar se ka kërcënuar me jetë ekipin e Insajderit, Jupa ka thënë nuk është marrë me punë të këqija.

“Unë nuk jam ai njeri, ju mundeni me marrë informata në Rahovec ne jemi të familjes shumë të kulturuar , shumë te respektuar.  Nuk jam njeri me shkollë, ama ky që jam për këso punë të këqija deri më sot asnjë problem s’kemi pas as me polici, as me gjykata, as me kërkon hiq”, ka thënë ai.

Jupa thotë se është keqpërdorë emri i tij pavarësisht dëshmive që kompania e tij ka furnizuar shumë kosovarë me mish të prishur. Thotë se nuk është arratisur asnjëherë nga Kosova siç ishte raportuar gjatë ditëve të fundit.

“Nuk di më çfarë të them neve na është keqpërdorur emri i kompanisë, fytyra ime publike ma kanë qitur unë jam terrorist jam, kam bastisje, kam ikur prej Kosovës.  Unë dje kam qenë duke ndej me shoqëri në kafe kur po e shoh aty biznesmeni kosovar Anton Jupa është arratisur. Unë nuk jam arratisur jam në Rahovec dhe as nuk kam ndërmend me lëshu”, ka thënë Anton Jupa.

Javë më parë kishte shpërthyer një skandal në Belgjikë kur kompania “Veviba” ishte zbuluar se ka eksportuar mish pa afat.  Insajderi kishte raportuar për këtë rast teksa kishte siguruar një dokument që tregonte se kompania “Euro Ida” me pronar Anton Jupën ka eksportuar mish të kompanisë “Veviba”.

Jupa kishte telefonuar redaksinë e Insajderit ku kishte kërcënuar se do t’i masakrojë të gjithë stafin e insajderit. Ai sot është arrestuar nga Policia e Kosovës./Inasjderi.com

Video: Kërcënimi i Anton Jupës