Prokuroria tregon motivet e vrasjes së djeshme në Gjakovë

Prokuroria tregon motivet e vrasjes së djeshme në Gjakovë

Prokurori Ali Uka ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen që ndodhi dje në mëngjes në Gjakovë.

Kallxo.com raporton se sot i dyshuari u soll në Gjykatën Themelore të Gjakovës nën masa të sigurisë policore.
Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Esat Bajrami përshkruhet momente se si është kryer vrasja derisa viktima ishte duke punuar.

“I pandehur Esat hyn në lokalin-qebaptoren e tani të ndjerit, ka porositur një hamburger, është shërbyer nga ana e tani të ndjerit dhe ka vazhduar të qëndroj në lokal deri sa janë larguar të gjithë klientët dhe në çastin kur ka ngelur vetëm me viktimën, i pandehur nxjerr nga brezi revolen dhe shtien tri herë në drejtim të viktimës, ashtu që si pasojë e këtyre të shtënave tani i ndjeri mbetet i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Në këtë kërkesë bëhet e ditur se motivi i vrasjes ishte motra e mitur e të pandehurit.

“Me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hana nga Gjakova i moshës 30 vjeç në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur i pandehuri para dy viteve me tani të ndjerin rreth motrës së tij të mitur…” thuhet nga Prokuroria.

Gjykata pritet të marrë vendimin rreth kërkesës së Prokurorisë.