Sulmi ndaj drejtorit të Gazetës Insajderi, Parim Olluri, është duke u trajtuar me prioritetet nga autoritetet e rendit.
Këtë e ka konfirmuar Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Olluri është sulmuar mbrëmë nga disa persona teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Sulmin ndaj tij e kanë dënuar institucionet vendore dhe përfaqëuses të ambasadave të akredituara në Kosovë.
Në anën tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se “sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies”./Insajderi.com