Prokuroria e do në burg Azem Sylën – ankohet në Gjykatën e Apelit

Prokuroria e do në burg Azem Sylën – ankohet në Gjykatën e Apelit

Prokuroria Speciale pritet të ankohet në Gjykatën e Apelit, kundër lirimit të Azem Sylës.

Ekrem Lutfiu nga Prokuroria Speciale, ka thënë për Gazetën Online Insajderi, se prokuroria deri më tash ende nuk ka marr vendimin nga Gjykata.

“Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin. Sapo ta marrin vendimin, atëherë Prokuroria do të ankohet”, ka thënë Lutfiu.

Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.

Më shumë se dy vjet hetime kishte zhvilluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për të ngritur aktakuzë ndaj Azem Sylës dhe 22 të pandehurve të tjerë – disa prej të cilëve dyshohen se ishin pjesë e grupit të tij – në tetor të 2016-s.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës akuzohej për një seri veprash penale që ndërlidheshin me krimin e organizuar.

Në aktakuzë ishin renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë ‘krim të organizuar’, ‘pastrim i parave’, ‘marrje të mitos’, ‘mashtrim i rëndë’, ‘mashtrim në detyrë’, ‘nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme’, ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar’ dhe ‘evazion fiskal’.

E pas më shumë se një viti përballje me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Azem Syla, i njohur si “Daja i madh”, është liruar gjatë ditës së djeshme – vetëm 20 ditë pasi rasti i tij u transferua nga gjykatësit e EULEX-it tek ata vendorë. /Insajderi.com