Prokuroria s’ka filluar ende hetimet për përgjimet

Prokuroria s’ka filluar ende hetimet për përgjimet

Edhe pas publikimit vazhdimisht të përgjimeve mes zyrtarëve të lartë të PDK-së, prokuroria e shtetit ende nuk ka  nisur hetimet.

“Siç ju kemi informuar edhe më parë se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka krijuar ekipin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e transkripteve të telekomunikimeve të përgjuara në rastin e MTPT-së”, ka thënë për “Zëri”, Hekrem Luftiu – zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit, shkruan zeri.info.

Ky komision do të ketë objekt të analizimit dhe vlerësimit të gjitha ato materiale-transkripte origjinale të përgjimeve të telekomunikimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e ngritur, kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, nga ana e prokurorit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i filloj hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer”, ka thënë Lutfiu për të shtuar se për momentin prokurorët janë duke i analizuar dhe vlerësuar të gjitha materialet e transkriptit të përgjimeve./Zëri/

Kohë më parë, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pati thënë se janë mobilizuar për analizimin e përgjimeve, për të nxjerrë elemente të reja të veprave të mundshme penale, pas njoftimit të Insajderit për publikimin e tyre.