Prokuroria: Qemajl Mustafa ka ndërhyre direkt në kurdisjen e tenderëve

Prokuroria: Qemajl Mustafa ka ndërhyre direkt në kurdisjen e tenderëve

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, dhe 28 zyrtarë të tjerë të kësaj komune, janë akuzuar për krim të organizuar të lodhur me korrupsionin.

Mustafa akuzohet se së bashku me zyrtarët komunalë dhe biznesmenë, ka koordinuar me veprimtarinë e kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit.

Sipas Prokurorisë, një gjë e tillë është kryer gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht pronarët e bizneseve që kanë fituar tendërë në komunë.

Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme se Qemajl Mustafa ka pasur njohuri për të gjitha aktivitetet e prokurimit, dhe se kjo dëshmohet edhe përmes bisedave telefonike që ka pasur ai me menaxheren e prokurimit por edhe pronarët e bizneseve.

“Gjatë analizimit dhe trajtimit të hollësishëm të këtyre aktiviteteve të prokurimit në periudhën kohore 2008-2011 ka rezultuar se ish kryetari, duke ushtruar fuqinë e tij ekzekutive si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ishte në dijeni për të gjitha këto aktivitete të prokurimit, krejt kjo bazuar në komunikimet e drejtpërdrejta dhe komunikimet përmes telefonit me menaxheren e prokurimit dhe me pronarët apo përfaqësuesit e këtyre bizneseve”, njofton prokuroria.

“Përmes menaxheres së prokurimit, ish kryetari, kishte fuqinë edhe sa i përket vendosjes së caktimit të anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit”, sqaron prokuroria./Insajderi.com