Prokuroria paralajmëron përdorimin e forcës, nëse Grabovci nuk i përgjigjet ftesës

13.09.2016 15:33

Adem Grabovci do të përballet të mërkurën me tre prokurorë të Shtetit si i dyshuar për dy vepra penale. Prokuroria ka refuzuar kërkesën e avokatit të tij, Florent Latifi për shtyrjen e seancës së marrjes në pyetje. E ka paralajmëruar se në rast të refuzimit të ftesës për seancë hetimore, do të përdoret forca për ta dërguar para prokurorëve.

Prokuroria paralajmëron përdorimin e forcës, nëse Grabovci nuk i përgjigjet ftesës

Nëse Adem Grabovci nuk paraqitet të mërkurën në Prokurori në ora 10: 00, atëherë Prokuroria pritet të urdhërojë sjelljen me forcë për ta marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

Paralajmërimin për një gjë të tillë Prokuroria ia ka bërë avokatit të Grabovcit, Florent Latifit për shkak se Latifi ka kërkuar shtyrjen e marrjes në pyetje me “arsyetimin se ka seancë të mërkurën”.

Mirëpo, Prokuroria ka thënë se terminin për marrje në pyetje të Grabovcit, i dyshuar për dy vepra penale e ka bërë në koordinim me avokatin, Florent Latifi, i cili paraprakisht kishte thënë se të mërkurën më 14 tetor është i lirë.

Organi i akuzës i është përgjigjur me shkrim Latifit pas kërkesës për shtyrje. Ia ka numëruar arsyet e refuzimit të kërkesës së tij për shtyrje.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari e cila udhëheq ekipin e prokurorëve që po merret me Adem Grabovcin, ka thënë për Insajderin se kërkesa e Latifit nuk është pranuar.

“Unë kam pranuar kërkesën e avokatit, z. Latifi për shtyrjen e seancës që është për nesër. Kërkesës i jam përgjigj me shkrim për refuzimin e kërkesës.

“Ne ekipi i prokurorëve nuk mund ta pranojmë këtë sepse para caktimit të seancës së marrjes në pyetje, ne e praktikojmë gjithmonë që t’i thërrasim avokatët dhe t’i pyesim se se a janë të lirë për datën e caktuar. Në këtë rast, avokati ka thënë se është i lirë më datën 14 dhe e ka nënshkruar ftesën, e cila i është dhuruar tetë ditë para marrjes në pyetje siç parashihet me ligj”, ka thënë Hajdari, për Insajderin.

“Unë po e refuzoj kërkesën për arsye se termini është caktuar në marrëveshje me avokatët dhe se për atë ditë është caktuar salla që përdoret nga të gjithë prokurorët, dhe termini duhet të respektohet”, ka thënë Hajdari.

Prokurorja ka thënë se një prej arsyeve për refuzim të shtyrjes së seancës së intervistimit, është se avokati nuk ka ofruar prova me shkrim se ka seancë në Gjykatë. Ka thënë se gojarisht nuk mjafton arsyetimi.

“Në këtë shkresë dërguar avokatit, kemi thënë se në rast se avokati ka obligime në gjykatë, ai mund të dërgojë zëvendësim”, ka sqaruar Hajdari. Ajo e ka paralajmëruar Latifin për pasojat e mosparaqitjes në Prokurori të klientit të tij.

“Kemi thënë se nëse klienti i yt z. Adem Grabovci nuk paraqitet në terminin e caktuar, Prokuroria do të kërkojë lëshimin e urdhrit për sjellje me dhunë”, ka thënë Hajdari.

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet muajin e kaluar kundër Adem Grabovcit dhe personave tjerë të përfshirë në përgjimet, Dosja e Shefave.

Grabovci po hetimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012. Hetimi ka nisur 26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve nga Insajderi të Adem Grabovcit, me zyrtarët tjerë të lartë shtetëror e partiak, përfshirë presidentin Hashim Thaçi.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se  i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka thënë se sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave.

“Në bazë të këtyre veprimeve të Grabovcit, Prokuroria Speciale ka krijuar dyshim të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale në vazhdim: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 81 të këtij Kodi. Ai dyshohet se këtë vepër e ka bërë në bashkëkryerje me persona të tjerë, të paidentifikuar deri më tani”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës.

Grabovci dyshohet, po ashtu, që e ka kryer veprën penale në bashkëkryerje: Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 31 dhe 81 të këtij Kodi.

“Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimit është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën online ‘Insajderi’, si dhe në disa prova të pranuara nga EULEX-i, që në bazë të urdhërit gjyqësor janë realizuar gjatë zhvillimit të një hetimi tjetër kundër tij nga prokurori i EULEX-it”, ka thënë Prokuroria.

Prokuroria ka thënë se hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci. /Insajderi.com