Prokuroria thotë se ka siguruar prova kundër Grabovcit dhe të tjerëve

Prokuroria thotë se ka siguruar prova kundër Grabovcit dhe të tjerëve

Prokurorja Speciale e Kosovës, Drita Hajdari, ka treguar se ka siguruar prova të mjaftueshme për të dyshuarit e rastit të “Dosjes së Shefave”, me ç’rast ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet ndaj ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe 7 zyrtarëve të tjerë.

Sipas asaj që ka thënë Hajdari, Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetimin, në rastet në të cilat disponon prova të mjaftueshme për fillimin e tyre.

“Prokuroria ka filluar hetimin në rastet të cilat i disponon, me prova të mjaftueshme për fillimin e hetimit”, ka thënë ajo.

Hajdari ka thënë se ende nuk dihet se kur do të paraqitet aktakuza kundër të pandehurve, pasi sipas saj, prokuroria është ende duke bërë vlerësimin e bisedave, dhe përmbajtjen e tyre.

“Ndërsa, në disa raste është paraqitur nevoja për sigurimin e informacioneve të caktuara nga policia. Akoma jemi duke i analizuar bisedat dhe jemi duke bërë vlerësimin nëse ato përmbajne elemente të ndonjë vepre penale”, ka thënë Hajdari për Insajderin.

Sipas prokurorës Hajdari, në disa nga rastet është paraqitur nevoja për sigurimin e informacioneve të caktuara edhe nga Policia e Kosovës.

Siç ka raportuar Insajderi rreth një javë më parë, Prokuroria e Shtetit ka vendosur të hetojë shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-ministrin e Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashin dhe ish-shefen e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti. /Insajderi.com

[youtube id=”moSwOYX-Wsk”]