Prokuroria nuk gjen prova për krime lufte kundër ministrit Rikallo

Prokuroria nuk gjen prova për krime lufte kundër ministrit Rikallo

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë hetimeve preliminare nuk ka gjetur prova se ekziston vepra penale për krime lufte.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se në bazë të raportimeve të mediave lidhur  me pohimin e disa qytetarëve nga lagja “Dardania” në Prishtinë, për keqtrajtimet nga ministri i bujqësisë, Nenad Rikalo gjatë luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave të nevojshme”, thuhet në njoftim.

“Në bazë të rezultatit të hetimit preliminar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale për krime lufte”, thuhet më tej aty, raporton Insajderi.

Megjithatë, Prokuroria nuk e përjashton mundësinë që të hapet ndonjë hetim i ri nëse paraqiten prova të reja.

“Në rast paraqitjes eventuale të provave të reja prokuroria mund të hapë një hetim të ri”, përfundon njoftimi.