Prokuroria nis hetimet për letrat e Lladrovcit

Prokuroria nis hetimet për letrat e Lladrovcit

Prokurori Sylë Hoxha ka konfirmuar se ka marrë në pyetje disa dëshmitarë

Është folur shumë për tri letra me të cilat thuhet se Ramiz Lladrovci shantazhon presidenetin e Kosovës. Por e vërteta e tyre pritet të dalë në shesh.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet rreth këtyre supozimeve.

Në një përgjigje për FRONTAL, prokurori Sylë Hoxha ka thënë se tani më janë duke u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët për këtë rast, e janë duke u mbledhur ende prova.

Përveç konfirmimit që bëri deputeti Milaim Zeka, të njëjtën e thanë edhe ata të cilët përmenden në letër.

Deputetët Rexhep Selimi e Haxhi Shala, të kontaktuar nga FRONTAL thanë se janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve, edhe pse deklarohen se krejt ky proces ka ngritur huti edhe te vetë ta, duke thënë se nuk e dinë as pse janë thirrur për të dëshmuar.

Ndërkohë, Lladrovci nuk ka pranuar të flasë për këtë temë.

Beteja në mes të Zekës e Lladrovcit ka kohë që ka filluar.

Insajderi kishte raportuar se Ramiz Lladrovci ia kishte shkruar tri letra Hashim Thaçi, në vitin 2003. Me anë të këtyre letrave kërkonte të takohej me Thaçin për t’ia dëshmuar se “nuk po bashkëpunonte me shërbime të huaja” kundër kryetarit të atëhershëm të PDK-së.

Lladrovci, kryetar i Drenasit i ankohej Thaçit se shumë prej drejtuesve të UÇK-së e shihnin atë si spiun të shërbimeve të huaja. Mes tjerash përmendte vrasjen e Beadin Allaqit, një nga drejtuesit e UÇK-së në vrasjen e të cilit implikohet Hashim Thaçi në këtë letër.

Zoti Hashim, kohët e fundit jam ndeshur shpeshherë, për të mos thënë përditë, me fjalë të ndryshme që synojnë denigrimin e figurës sime dhe njëkohësisht familjes sime. Këto gjëra më kanë indinjuar, për më tepër, sepse ato po bëhen dhe po përhapen nga shokë ose ish-shokë të mi, nga disa pa dashje, kur është fjala për shokët; dhe nga disa me dashje, mendoj unë, kur është fjala për ish-shokët”, shkruan në letrën e parë.

“Po ju drejtohem krejt sinqerisht dhe nuk dua të keqkuptohem ose të mendosh se ka hile nga ana ime. Të kam kërkuar edhe takim të drejtpërdrejtë, por nuk është bërë i mundur deri tani, megjithëse keni pasur mundësi”, shkruan Lladrovci.

Ai ankohet në letrën e parë se Lulëzim Jashari – djali i komandantit Adem Jashari, Nuredin Lushtaku, Sylejman Selimi dhe Rexhep Selimi, e kanë akuzuar se po bashkëpunon me shërbime të huaja për ta denoncuar Thaçin për përfshirje në vepra penale, siç është vrasja e Beadin Allaqit.

“Jam akuzuar se, duke bashkëpunuar me të huajt, shërbimet e huaja, po bëj çka është e mundur të ju akuzoj ose denoncoj për rastin… Kjo më është thënë edhe nga Rexhë Selimi, pra ka filluar të bëhet fjalë, pa e ditur unë asnjëherë dhe pa folur me mua”, shkruan në këtë letër në të cilën emri i Beadin Allaqit është i fshirë me të zezë.

Lexoni shkrimin e plotë duke klikuar këtu: