Prokuroria konfirmon kompaninë e dytë që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Prokuroria konfirmon kompaninë e dytë që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Kompania “Beni SHPK” nga Suhareka është thertorja tjetër kosovare që ka importuar mish të dyshimtë nga Belgjika, ka konfirmuar sot Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala.

Pasi Insajderi zbuloi javën e kaluar se kompania “Euro IDA” nga Rahoveci kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”, Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala, ka deklaruar se edhe kompania “Beni SHPK” nga Suhareka ka importuar mish nga Belgjika.

“Po, ashtu siç keni shkruar ju [Insajderi, v.j] për kompaninë ‘Euro Ida’ është e saktë. Nëdrkaq, kompania tjetër është Beni SHPK nga Suhareka”, ka thënë Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala për Insajderin.

Ai ka thënë se mishi që kjo kompani kishte importuar nga Belgjika ishte asgjësuar nga autoritetet e Kosovës.

Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet ndaj dy kompanive: “Beni SHPK” me bazë në Suharekë dhe “Euro IDA” me bazë në Rahovec. Kryeprokurori Shala i ka thënë Insajderit se në kompaninë “Euro Ida” janë gjetur 1 mijë e 800 kilogram me afat të skaduar.

“Kemi konfiskuar 1 mijë e 800 kilogram mish me afat të skaduar. Mishi që kemi gjetur nuk vjen nga Belgjika”, ka thënë Shala.

Insajderi zbuloi më 14 mars, se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika

Mishi që ishte eksportuar nga kompania belge Veviba për në Kosovë ndonjëherë kishte qenë me afat të skaduar prej 12 vitesh.

Sipas asaj që kanë raportuar mediet belge, një dokument gjyqësor kishte treguar se një kamion mish nga kompania Veviba kishte arritur në Kosovë më 19 shtator të vitit 2016. Shumica e mishit ishte asgjësuar, dhe ishte konstatuar se mishi kishte qenë 12 vjet i vjetër.

Gjithashtu u zbulua se një pjesë e mishit kishte ardhur nga disa thertore të tjera belge, siç janë Izegem dhe Harelbeke dhe ishin ri-paketuar në kuti që mbanin markën tregtare të kompanisë Veviba. /Insajderi.com