Prokuroria kërkon nga Apeli dënim më të ashpër për të dënuarin për terrorizëm

Prokuroria kërkon nga Apeli dënim më të ashpër për të dënuarin për terrorizëm

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sylë Hoxha, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila Sokol Morinën, e kishte dënuar më burgim me kusht për shkak të pjesëmarrjes në grupe terroriste në Siri.

Gjykata Themelore në Pejë, në korrik të vitit të kaluar, Sokol Morinën e kishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale “organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe për këtë vepër i kishte shqiptuar dënim me tre vite burgim me kusht, dënim  i cili nuk ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër penale brenda dy viteve.

E pakënaqur me këtë dënim, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i është drejtuar Gjykatës së Apelit ku ka kërkuar që ndaj të akuzuarit Morina, të shqiptohet një dënim më i ashpër, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas ankesës së prokurorisë, gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar dispozitat e zbutjes së dënimit ndaj të akuzuarit Morina, pasi që, për veprën penale për të cili është dënuar Morina, parashihet dënim nga 5 deri në 10 vite burgim.

Me këtë rast, shkalla e parë ka dënuar Morinën me dënim prej tre vite burgim, e që është nën minimumin e paraparë, thuhet në ankesën e prokurorisë.

Tutje, prokurori Sylë Hoxha, ka theksuar se në rastin e të akuzuarit Morina, nuk kemi pasur as pranim të fajësisë, të cilën rrethanë gjykata e shkallës së parë ka mundur të marrë si rrethanë lehtësuese.

Andaj, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dënimi sipas Prokurorisë Speciale, është i ulët, andaj e njëjta prokurori i ka propozuar kolegjit të Apelit, që ndaj të akuzuarit Morina, të shqiptohet një dënim më i ashpër.

Kërkesën e Prokurorisë Speciale e ka përkrahur edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese dërguar Gjykatës së Apelit, të njëjtës, i ka propozuar që ta miratoj si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Asdren Hoxha, e ka kundërshtuar ankesën e bërë nga ana e Prokurorisë Speciale.

Hoxha, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, tha se qëllimi i dënimit nuk duhet të jetë, dëmtimi i të akuzuarve, por rehabilitimi i tyre.

Në këtë rast, sipas Hoxhës, kemi të bëjmë me një të akuzuar të ri në moshë, i cili është penduar për veprën që ka bërë dhe për më tepër, nuk mund as të ecë pasi që ishte plagosur në konfliktin në Siri.

“Edhe mjeku që ka qenë gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë, ka thënë se dërgimi i Sokolit në burg mund të ketë si pasojë që këtij të fundit ti këputet këmba pasi që ka nevojë non-stop për trajtime”, përfundoi fjalën e tij, avokati Hoxha.