Prokuroria ka nisur t’i marrë në pyetje të dyshuarit për fryrje të listave të veteranëve

Prokuroria ka nisur t’i marrë në pyetje të dyshuarit për fryrje të listave të veteranëve

Pas rreth një viti prej që kur Prokuroria e Shtetit ka trajtuar si objekt hetimi listat me mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës të cilët gëzuan statusin e veteranit të UÇK-së, tani ka nisur t’i marrë në pyetje personat që dyshohet se janë të përfshirë në dallaveret me lista.

Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, në një konferencë për media.

Sipas tyre, ka pesë ditë që me urdhër të Prokurorisë policia e krimeve të rënda ekonomike ka nisur t’i marrë në pyetje personat që dyshohet se kanë ndikuar në fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së.

“Prokuroria ka nisur hetimet dhe është duke i marrë në pyetje disa persona si të dyshuar”, tha Nasim Haradinaj

Ndërkaq, kryetari i OVL-së të UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se gjatë hetimeve të prokurorisë është hasur në parregullsi, duke shtuar se nuk ka informacione se ku janë evidentuar ato parregullsi.

“Dy inspektorë prej krimeve të rënda ekonomike kanë kërkuar nga Organizata e Veteranëve listat me veteranë, por ne i jemi drejtuar me shkrim se Organizata e Veteranëve nuk posedon lista të veteranëve. Ata kanë sjellë mendime se kanë hasur në parregullsi diku-diku. Ajo çfarë është me rëndësi të thuhet, është se hetimet kanë filluar që pesë ditë”, tha Gucati gjatë kësaj konference.