Prokuroria jep arsyet e arrestimit të Azem Sylës

Prokuroria jep arsyet e arrestimit të Azem Sylës

Prokuroria e Shtetit përmes një përgjigje për Gazetën online Insajderi e ka sqaruar arrestimin e sotëm të ish-deputetit Azem Syla, i cili që nga 25 gushti ndodhej në arrest shtëpiak.

Sipas prokurorisë Syla u arrestua në bazë të dëshmive se ai kishte bërë përpjekje që të kontaktojë dhe ndikojë në një dëshmitar të mbrojtur.

“Me çka e ka shkelur urdhrin e gjyqtarit dhe i ka penguar procedurat penale”, tha zëdhënësja Liridona Kozmaqi.

Prokuroria njofton se operacioni i për arrestimin e Sylës është bërë në kuadër të hetimit penal për  tjetërsimin e pronave.

“Këto hetime kanë të bëjnë me një grup të organizuar kriminal të madh, i cili e privoi Kosovën nga pronat shoqërore. Lidhur me këto hetime në fund të muajit prill 2016 ishte kryer një operacion gjatë të cilit u bënë arrestime, bastisje dhe konfiskime të pasurisë”, tha Kozmaqi për Insajderin.

Syla ishte arrestuar fillimisht  më 29 prill 2016 dhe kishte qëndruar në paraburgim deri më 25 gusht 2016, dhe sipas prokurorisë ai ishte liruar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Me atë rast, kundër tij ishte shqiptuar një masë më e butë, e cila përfshinte ndalimin e kontaktit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me dëshmitarët dhe me të pandehurit e tjerë”, tha Kozmaqi.

Insajderi gjatë ditës kishte sjell rrëfimin e dëshmitarit, për dy sekserët e dyshuar të Azem Sylës. Ai thoshte se njëri nga personat që dyshohet se i dërgoi Syla e kishte vizituar gjatë kohës sa Syla ishte në paraburgim dhe tjetri pas daljes nga burgu.  /Insajderi.com