Prokuroria dyshon se “vrasësi me sëpatë në Pejë’ është i sëmurë mendor

Prokuroria dyshon se “vrasësi me sëpatë në Pejë’ është i sëmurë mendor

Dy ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas, 25 nëntorit, në Kosovë u shënua një viktimë e tillë. Sevdie Berisha u vra mizorisht me sëpatë nga bashkëshorti i saj, Iseni. Martesa mbi 30-vjeçare e tyre përfundoi tragjikisht ditën e 17 nëntorit, si pasojë e marrëdhënieve të këqija mes çiftit, por edhe të kushteve të vështira ekonomike. Gazeta Express ka qëndruar në lagjen Fidanishte të Pejës, por fëmijët e saj nuk kanë folur rreth vrasjes së nënës së tyre. Prokurori i rastit, ndërkaq, ka thënë se për autorin e vrasjes ka kërkuar ekzaminim psikiatrik.

 

Mëngjesin e së premtes së 17 nëntorit, 66-vjeçari Isen Berisha, pasi kishte dalë për të pirë një cigare në oborrin e shtëpisë së tij, ishe kthyer brenda me një sëpatë në duar, me të cilën kishte goditur disa herë radhazi në kokë gruan e tij, 14 vjet më të re, Sevdije Berishën, e cila po qëndronte tek shporeti i ndezur pak çaste më parë. E gjendur e vetme në këtë situatë mes çiftit, e reja ishte munduar ta ndalonte vjehrrin e saj, por ai e kishte goditur edhe atë, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe duar.

Një javë më pas, më 25 nëntor rreth orës 18:30 të mbrëmjes, Sevdija 52-vjeçare ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke mos u mbijetuar plagëve të marra nga bashkëshorti. Së resë së saj Arlindës, 27-vjeçe, i është stabilizuar gjendja.

Gazeta Express ka qëndruar të hënën në shtëpinë e familjes Berisha në lagjen Fidanishte në Pejë, ku kanë mbetur vetëm fëmijët e çiftit. Djali i vogël i kësaj familjeje, Hasani 17-vjeç, nuk ka pranuar të flasë për Express, veçse ka konfirmuar se tashmë është mbyllur e pamja për nënën e tij dhe se bashkë më vëllezërit e tij janë pajtuar që të mos flasin për media për rastin e ndodhur në familjen e tyre.

Babai i tyre, Iseni, tashmë është në paraburgim një muajsh, pasi ishte arrestuar me të ndodhur ngjarja, e cila fillimisht u cilësua si tentim-vrasje e rëndë.

Prokurori i rastit, Ardian Hajdaraj në një prononcim për Express, ka konfirmuar se ka urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të të dyshuarit, rezultatet e të cilit do të zbardhin tërë rrethanat e kësaj ngjarjeje.

“Unë sipas detyrës zyrtare kam dhënë urdhër që t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik të dyshuarit. Me datë 23.11.2017 është propozuar ekzaminimi psikiatrik i tij, çka edhe është aprovuar prej Gjykate, dhe jam në dijeni që është dërguar mjeku për ta ekzaminuar. Pa një raport të psikiatrit ne nuk mund të flasim për gjendjen e tij psikike”, ka thënë Hajdaraj.

Marrëdhëniet e përkeqësuaar, të cilat kishin zgjatur prej vitesh mes çiftit që kishin 30 vjet martesë, besohet të kenë qenë shkaqet që çuan deri te kjo tragjedi.

“Më tepër kjo është pasojë e gjendjes së rëndë sociale në familje. Fillimisht është njoftuar që këta kanë pasur probleme të vazhdueshme bashkëshortore, unë kam verifikuar në njësitin për mbrojtën e viktimave të dhunës në familje, mirëpo nuk ka pasur asnjë rast zyrtar të raportuar, qoftë nga vetë viktima ose familjarë të saj. Është intervistuar edhe Arlinda që është në spital, edhe i dyshuari, dhe ata e pranojnë që ka pas probleme të vazhdueshme qe një kohë të gjatë, mirëpo nuk janë raportuar te organet përgjegjëse”, ka shtuar Prokurori Hajdaraj.

Në laborator për ekspertizë janë dërguar edhe  disa prova, siç është sëpata me të cilën i dyshuari kreu veprën penale si dhe një armë pa leje gjysmë-automatike cal.7.62×39.

Sevdie Berisha u vra dy ditë para Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas, 25 nëntorit, që shënohet edhe në Kosovë.

Për vrasjen e Sevdijës ka reaguar Misioni i OSBE-së në Kosovë, duke e dënuar rastin.

“Ne jemi të pikëlluar dhe të zemëruar nga një vdekje tjetër si pasojë e dhunës në familje”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Reagim ka pasur edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cili u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të merren seriozisht me dhunën dhe vrasjet që po bëhen ndaj grave.