Kryeprokurori paralajmëron aktakuzë për pretendimet e Dick Marttyt

15.09.2016 14:26

Administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon dhe kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale, David Schwendiman, kanë sqaruar të enjten në Hagë, se Gjykata Speciale për krime lufte nuk është një gjykatë “klasike ndërkombëtare, por një dhomë e posaçme e gjykatave të Kosovës dhe çdo gjë do të bëhet në kuadër të gjyqësorit të Kosovës”.

Kryeprokurori paralajmëron aktakuzë për pretendimet e Dick Marttyt

Kryeprokurori Schwendiman, tha se “kushdo që flet në publik dhe përmend informata të mundshme të prokurorisë, nuk e thotë të vërtetën. E vërteta është ajo që ai do të përgjigjet në të ardhmen dhe ajo që do të jetë pjesë e e aktakuzës që do të publikohet ndërkohë”.

Schwendiman u zgjodh pak ditë më parë në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale, pasi kishte kryer detyrën e prokurorit kryesor të Task-Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian.

Megjithëse në konferencën e sotme në Hagë, as kryeprokurori e as administratorja nuk thanë se kur mund të priten paditë e para, besohet se kjo mund të ndodh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Dhomat e specializuara do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, që u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës, e që “fajëson ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore”, shkruan rel.

Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës.