Prokurimi publik, pika e dobët e komunave

Prokurimi publik, pika e dobët e komunave

Tri shqetësimet kryesore të cilat janë gjetur në raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015 janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe subvencionet, është thënë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike ku edhe është shqyrtuar raporti i Auditimit.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Faton Topalli ka thënë se komisioni së bashku me zyrën e Auditimit ka nxjerrë disa pika të dobëta për pasqyrat financiare.

“Ato pika janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurisë financiare dhe subvencionet. Shpenzimet për investime kapitale të realizuara përmes prokurimit për vitin 2015 në këto komuna ishin në vlerë prej 57.9 milionë euro dhe bazuar në raportet e auditimit del që ka pasur inicim të procedurave të prokurimit pa zotim të mjeteve, vonesa në projekte, vonesa në pagesa, pagesa përmes përmbaruesve privat, bashkëfinancimi i projekteve të financuara nga auditorët për mbikëqyrje nga stafi i komunave e të tjera”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e ka thëne edhe Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani.

“Janë tri shqetësime për ne – prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe subvencionet”, ka thënë Osmani, shkruan Ekonomia Online.

Të ftuar në këtë takim ishin kryetarët e tetë komunave të Kosovës – Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit, Mitrovicës dhe Graçanicës.