“Projektin nga BERZH e ka bërë Ministria e Tregtisë, e jo Ramiz Lladrovci”

“Projektin nga BERZH e ka bërë Ministria e Tregtisë, e jo Ramiz Lladrovci”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në një status në Facebook ka thënë se BERZh-i, ka miratuar Zgjerimin e Parkut të Biznesit në Drenas, me vlerë 15 milionë euro. Por, me këtë nuk po pajtohet Arian Krasniqi, këshilltar i ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani.

Krasniqi i ka thënë Lladrovci duhet të tregojë se ky është projekt i MTI-së.

“Kryetar i nderuar, ne e dimë të kemi kampion të shumëfishtë në shumëçka, e në gjithçka më shumë se sa në detyrë që je i thirrur. Ri-negocimin e financimit të këtij projekti nga BERZH’i e ka bërë MTI’ja. Do të ishte e ndershme që të tregoni se këtë angazhim të pandalshëm e ka bërë vullneti dhe qëllimi i mirë i Ministrit z. Bajram Hasani në shërbim të bizneseve vendore. Qëllim ky që i kemi vënë vetes në këtë mandat”, ka thënë Krasniqi.

Lladrovci në postimin e tij të mëhershëm kishte thënë se ka marrur një lajm të mirë nga BERZH-i.

Ai kishte theksuar se BERZh-i, ka miratuar Zgjerimin e Parkut të Biznesit në Drenas me vlerë 15 milionë euro, duke shtuar se ky është lajm i mirë për bizneset dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Lajm i mirë nga Londra, BERZh-i, ka miratuar Zgjerimin e Parkut të Biznesit në Drenas me vlerë 15 milionë euro. Lajm i mirë për bizneset dhe krijimin e vende të reja të punës. Urime e gëzuar qytetarë të Drenasit. Besojmë se projekti për Liqenin akumulues në Vërboc si dhe rregullimi i ujërave të zeza, do të zënë së shpejti vend në projektet e financimit nga donatorët si dhe projektet tjera zhvillimore. Drenasi ka të ardhme të mirë për qytetarët e vet”, kishte shkruar Lladrovci.

Ramiz Lladrovci, është duke udhëhequr me Komunën e Drenasit, në mandatin e tij të dytë qeverisës./Insajderi.com