Projekti i dedikuar për Gjilanin shkon në Ferizaj

08.11.2017 09:47
Projekti i dedikuar për Gjilanin shkon në Ferizaj

Gjilani dhe Mitrovica, ndonëse ishin prioritet për ndërtimin e kolektorëve për trajtim ujërash të zeza, ky projekt madhor i Qeverisë së Kosovës në vlerë prej 55 milionë eurosh tashmë është devijuar në drejtim të Ferizajt derisa zëvendësministër i ri i Zhvillimit Ekonomik është emëruar Xhavit Zariqi, i cili deri tashti ishte nënkryetar i Komunës së Ferizajt nga radhët e AAK-së.

Zariqi është zotuar se pas pak ditësh, si zëvendësministër i ri në këtë ministri, ka arritur t’i konfirmonte 55 milionë euro investime për qytetarët e Ferizajt, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth kësaj çështjeje menjëherë ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos e devijojnë buxhetin për projekte të tilla.

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik Xhavit Zariqi, ka thënë se çdo lider politik mundohet që projektet qeveritare t’i drejtojë për qytetarët e tij të vendlindjes.