Programi qeveritar për Reforma në Ekonomi nuk është i mbështetur në ligj

Qeveria ka hartuar një Programin për Reforma në Ekonomi (PRE) i cili nuk është i bazuar në Ligjin për Buxhetin. Si i tillë, ky program është miratuar në Qeveri dhe i është dorëzuar Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

Kabineti qeveritar i Kosovës e ka miratuar më 29 janar të këtij viti Programin për Reforma në Ekonomi 2018. Pas kësaj, Ministria e Financave këtë dokument e ka dorëzuar tek Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ashtu siç obligohej edhe me vendimin e Qeverisë.

Por Programi për Reformat në Ekonomi (PRE) po shihet si jo real, i cili nuk ka mbështetje në Ligjin për Buxhetin.

Instituti GAP i cili ka qenë i përfshirë gjatë konsultimeve të këtij Programi, i kanë dhënë një varg vërejtjesh.

“Në përgjithësi ‘Programi i Reformave Ekonomike 2018-2020’ duhet të jetë më specifik në veprime dhe objektivat që synon t’i arrijë. Në shumë pika ky program është jo real, nuk ka mbështetje në Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës 2018 dhe për shkak se është i paspecifikuar është vështirë i matshëm”, thuhet në vërejtjet e GAP-it.

Gjithashtu, GAP thotë se shumë kritika të Raportit të Progresit nuk janë adresuar me masa adekuate.

Po ashtu, problem tjetër që vazhdimisht mund të hasen nëpër të gjitha Programet e Reformave në Ekonomi është edhe fokusi për përmbushjen e aktiviteteve, të cilat nuk ndërlidhen edhe aq mirë me qëllimin final.

“Shembull për këtë është themelimi i Agjencisë së Punësimit në Republikën e Kosovës (APRK), e cila është paraparë me PRE të mëhershme dhe me ARE. Funksionalizimi i APRK ende nuk ka përfunduar, nuk janë hartuar të gjitha aktet nënligjore dhe nuk është kompletuar Bordi; po ashtu ende APRK është në fazën e akomodimit në zyrat e reja”, thuhet  në rekomandimet e GAP-it.

Një problem tjetër është edhe menaxhimi i financave publike, ku vazhdimisht është kërkuar përmirësimi i prokurimit publik nëpërmjet aplikimit të prokurimit elektronik.

Krahas planifikimit për zbatimin e prokurimit elektronik, GAP thotë se në të gjitha organizatat buxhetore është e rëndësishme që të adresohen dhe problemet tjera kyçe në fushën e prokurimit të cilat ndikojnë në menaxhimin e mirë të financave publike.

Sipas raportit të fundit të Auditorit të Përgjithshëm, në vazhdimësi vërehet planifikim i dobët në pjesën e prokurimit, qoftë në zhvillimin e procedurave të prokurimit apo menaxhimin e kontratave.

“Tendenca për kryerjen e pagesave ndaj operatorëve para përfundimit të punëve dhe mos monitorimin e projekteve kapitale, që sipas raportit të auditimit në disa raste nuk përfundohen fare nga operatorët, tregon për menaxhim jo adekuat të financave publike. Masa në fjalë duhet të parashoh hapa për përmirësimin e planifikimit dhe ndaljen e fenomenit të parapagesave të cilat e dëmtojnë buxhetin e Kosovës”, thuhet  në vërejtjet e Institutit GAP.

Problemet me Menaxhimin e Financave Publike kanë të bëjnë edhe me aspekte tjera të menaxhimit dhe transparencës. Edhe më tej nuk ekziston një rregullativë e qartë financiare për ndarjen e subvencioneve nga ana e organizatave buxhetore, e cila do të eliminonte mundësitë për keqpërdorime me subvencione; fushë kjo në të cilën Auditori i Përgjithshëm gjen shkelje të mëdha çdo vit.

“Me qëllim të rritjes së kontrollit në menaxhimin e financave publike, nevojitet transparencë më e madhe buxhetore. Publikimi i raporteve financiare nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, sidomos të atyre që obligohen t’i publikojnë sipas ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi, do të mundësonte kontroll më të madh nga publiku, si masë për uljen e praktikave korruptive.

Reforma e tregut të energjisë dhe transportit

Në Raportet vjetore të Progresit nga viti 2015 rekomandohet që ulja e konsumit të energjisë të bëhet  nëpërmjet masave të efiçiencës së energjisë. Pjesë e kësaj mase duhet të jetë edhe rritja e kapaciteteve njerëzore për Agjencinë për Efiçiencë të Energjisë

Një masë tjetër në këtë drejtim duhet të jetë zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve prodhuese të energjisë.

“Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend. Një rritje e çmimit të energjisë prej rreth 50-60%, siç thekson dhe raporti i MCC për Kosovën dhe burimet tjera, do t’i rriste në mënyrë enorme shpenzimet operative të ndërmarrjeve në Kosovë, të cilat sipas këtij programi edhe ashtu janë jo-konkurruese në raport me ndërmarrjet e vendeve fqinje”, thuhet në vlerësimin e GAP-it.

Sipas raportit të njëjtë të MCC, çmimi që paguajnë bizneset në Kosovë sot është i ngjashëm me atë që paguajnë bizneset e vendeve sikurse Austria apo Holanda. Ndërsa, një ngritje e tillë e çmimit të energjisë si më lartë do ta bënte atë të njëjtë me vende si Italia. Në këtë drejtim, GAP rekomandon që qeveria duhet të hartojë masa konkrete për mbështetjen e ndërmarrjeve në këtë pikë.

Zhvillimet sektoriale – bujqësia, industria dhe shërbimet

Në këta sektor rekomandohet zhvillim i konkurueshmerisë së sektorit privat përmes zhvillimit industrial për Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Në kuadër të kësaj fushe duhet të përfshihet edhe rritja e kapaciteteve dhe investimeve kapitale për Agjencinë për Pronësi Industriale që operon brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të mund të realizojë misionin e saj, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit të vitit 2016.

Po ashtu, sipas GAP-it, mbetet ende e paqartë se si do të koordinohen aktivitetet në mes të MTI dhe Ministrisë së re për Inovacion dhe Ndërmarrësi, pasi që të dy ministritë mbulojnë fushën e njëjtë të zhvillimit të ndërmarrjeve, raporton Insajderi.

Përfshirja sociale, ulja e varfërisë dhe mundësitë e barabarta

Shuma e ndarë për Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) aktualisht është e pamjaftueshme që 26.000 familjet përfituese t’i ikin pragut të varfërisë së skajshme.

Konkretisht, shuma që do të marrin përfituesit gjatë 2018 arrin të mbulojë vetëm 61% të shumës së nevojshme për t’i ikur pragut të varfërisë së skajshme.

Andaj, GAP rekomandon të rritet shuma e ndarë për këtë skemë në mënyrë që familjet t’i ikin të paktën këtij pragu.

Në këtë drejtim, GAP thotë se rreth 20 milionë euro shtesë për Skemën e Ndihmës Sociale, do të mjaftonin që të arrihej ky qëllim.

“Një hap i tillë do të kishte ndikim të shumanshëm, ku ndër tjerash do të rriteshin gjasat që një pjesë e kësaj kategorie të gjente punë dhe kësisoj të largoheshin edhe nga skema. Fatkeqësisht, buxheti i MPMS për skemat sociale të bazuara në kategori është rritur pakrahasimisht më shumë sesa buxheti i skemave sociale bazuar në gjendjen ekonomike të përfituesve”, thuhet në raportin e GAP-it.

“Skemat sociale për veteranët, pensionet e moshës, ish të burgosurit politik, deputetët e viteve të ’90, janë skema të cilat bazohen në një meritë të njohur (entitlement) dhe jo domosdo shkojnë tek kategoritë më të varfra. Andaj, Qeveria e Kosovës duhet të ul buxhetin e skemave sociale bazuar në kategori dhe të ngrit buxhetin e skemave sociale bazuar në gjendjen sociale dhe ekonomike të familjeve në nevojë”, thuhet më tej aty./Insajderi.com