Profili prej mashtruesi i zëvendësministrit të Jashtëm

07.11.2017 15:29
Profili prej mashtruesi i zëvendësministrit të Jashtëm

Gjergj Dedaj i cili është emëruar sot zëvendësministër i Punëve të Jashtme në qeverinë Haradinaj, njihet si një nga njerëzit që ka zënë postin e zëvendësministrit në çdo qeveri e cila ka ardhur në pushtet.

E kaluara e zëvendësministrit Dedaj nuk është edhe shumë e bujshme. Ai njihet për shumë skandale.

Në kohën sa Dedaj ishte zëvendësministër i Pushtetit Lokal ishte akuzuar nën dyshimin se kishte mashtruar një mërgimtar.

Insajderi kishte publikuar një hulumtim vitin e kaluar lidhur me mashtrimin që i kishte bërë Dedaj një bashkatdhetari në Berlin duke i kërkaur një borxh prej 400 eurove të cilin nuk i’a kishte kthyer.

Mirëpo Dedaj nuk ishte ndalur me kaq.

Gjatë vitit 2010, ai ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, nën dyshimin se ka keqpërdorur paratë e Ministrisë së Punës, në kohën sa në këtë dikaster mbante pozitën e zëvendësministrit.

Dedaj dyshohej se brenda një periudhe prej 11 muajve, kishte shfrytëzuar 33 mijë euro nga kredit-kartelat e Qeverisë dhe mbi 8 mijë euro të tjera për avance pa mbulesë.

Dedaj ka edhe histori të tjera për mos shlyerje të borxheve.

Në vitin 2012 ai është paditur nga një qytetar për shkak se i ka mbetur borxh disa mijëra euro për banesën që ai e kishte shfrytëzuar si zyrë në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.

Gjergj Dedaj është themelues i Partisë Liberale të Kosovës. /Insajderi.com