Profesori që rekomandoi avancimin e Tomor Qelës ishte menaxher i biznesit të tij

Ditë më parë Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Edukimit ka propozuar profesorin e gjeografisë Tomor Çelën që të zgjidhet në thirrjen “Profesor Asistent”. Qela ishte zëdhënës i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës në Demarkacionin me Malin e Zi.  Por Qela dhe kryetari i komisionit vlerësues, Ibrahim Ramadani, më parë kishin punuar bashkë në kompaninë e kunatës së Qelës, të cilën më vonë ai se e ktheu në emrin e tij. Ky i fundit mohon të ketë pasur lidhje kjo çështje me propozimin e tij për ‘Profesor asistent’ në Fakultetin e Edukimit.

Profesori që rekomandoi avancimin e Tomor Qelës ishte menaxher i biznesit të tij

Tomor Qela kohëve të fundit njihet si njeri shumë i zëshëm në mbrojtje të qëndrimit të Qeverisë rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Pasi e kreu detyrën si zëdhënës i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës në Demarkacionin me Malin e Zi, ai nisi një mision tjetër: të bëhej profesor asistent në Fakultetin e Edukimit.

Përpos faktit që “gradimi” i tij është bërë menjëherë pasi kreu detyrën e zëdhënësit, Qela ka pasur edhe një ndihmë tjetër

Kryetari i komisionit që e ka vlerësuar atë si të denjë për të qenë “profesor asistent” është njeriu me të cilin kanë punuar së bashku në një kompani.

Ibrahim Ramadani është profesor i gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore-Matematikore. Ai kishte qenë menaxher i disa projekteve në kompanisë N.Sh.P. “Data Gisconsulting” që udhëhiqej nga kunata e Tomor Qelës, Sadete Qela.

Këtë e konfirmon vetë tashmë ish-menaxheri i projekteve në këtë kompani.

“Po është e vërtetë, se unë kam udhëheq disa projekte në këtë kompani, në hartimin e planeve komunale dhe urbane për disa komuna të Kosovës, por tani më prej disa vitesh nuk kam asnjë lidhje me të”, ka thënë për Insajderin Ibrahim Ramadani.

Ramadani kishte dhënë vlerësim pozitiv për Qelën që të zgjidhet ‘Profesor Asistent’ në Fakultetin e Edukimit.

Por Tomor Qela – kandidati i propozuar, mohon që propozimi i Ramadanit të ketë pasur ndonjë lidhje me punën që e kanë bërë më parë në të njëjtën kompani.

Ai thotë se kanë punuar me Ibrahim Ramadanin në kompaninë “Data Gis Consulting” përgjatë viteve 2009-2011 derisa ishte në emër të kunatës së Qelës.

Por, pasi kjo kompani doli në emër të tij, ai thotë se më nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me Ramadanin.

“Nga viti 2011 e këndej asnjë bashkëpunim në asnjë projekt nuk ka qenë i involvuar Ibrahim Ramadani”, ka thënë shkurt Qela për Insajderin.

Por të dhënat në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), kjo kompani ende figuron në emër të kunatës së tij, Sadete Qela.

Sa i përket komisionit vlerësues të fakultetit, Qela thotë të mos ketë pasur kurrfarë ndikimi të anëtarët, për të cilët thotë se i kishte caktuar vetë Fakulteti i Edukimit.

Insajderi ka provuar të marrë një qëndrim nga Rektorati nëse kryetari i komisionit Ibrahim Ramadani dhe kandidati Tomor Qela përbëjnë konflikt interesi, por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.

Dy anëtarë të komisionit vlerësues, nga tre sa ishin gjithsej, kishin dhënë rekomandim pozitiv për Qelën, duke ia mundësuar atij procedimin e mëtejmë për t’u zgjedhë ‘profesor asistent’.

Por këtë nuk e kishte bërë edhe anëtari i tretë, Shpejtim Bulliqi, të cilët që një kohë polemizojnë rreth fakteve për demarkacionin me Malin e Zi.

Qela mbron qëndrimin e Qeverisë se me marrëveshjen e demarkacionit Kosova nuk humb territor, kurse Bulliqi pretendon se kjo marrëveshje ia humb Kosovës rreth 8200 hektarë tokë.

Në një prononcim për Insajderin ditë më parë, Shpejtim Bulliqi ka treguar arsyet e kundërshtimit të propozimit të Çelës. Ka thënë se profili i Tomor Çelës nuk i përgjigjet lëndëve në të cilat është propozuar.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se lëndët në të cilat është propozuar Çela, kanë të bëjnë me Gjeografinë Fizike, ndërsa Çela ka të përfunduar studimet në fushën e Gjeografisë Shoqërore.

“Gjeografia Fizike është fushë e gjeografisë që nuk e ka kryer Tomor Çela fare, sepse Tomor Çela është Gjeografi Shoqërore. Tomor Çela nuk i plotëson kushtet në këto lëndë. Këtu kanë konkurruar tre kandidatë: Tomor Çela, Bashkim Kastrati dhe Sami Behrami. Tomor Çela është Gjeografi Shoqërore, Bashkim Kastrati është Gjeografi Fizike, ndërsa Sami Behrami Gjeografi Shoqërore”, kishte thënë Bulliqi.

Sipas Bulliqit, Çela nuk e ka përvojën e kërkuar të punës në arsim, derisa “kundërkandidati i tij Bashkim Kastrati ka më shumë punime me recension ndërkombëtar”.

“E para: Çela nuk e ka përvojën e punës në arsim, ai i ka vetëm dy vite, por duhet t’i ketë tre vite. Duhet ta ketë Gjeografi Fizike dhe Gjeografi Shoqërore, dhe kundërkandidati i tij ka më shumë punime me recension ndërkombëtar se sa Tomor Çela”, kishte vlerësuar Bulliqi.

Ndërkaq, Çela e kishte cilësuar veprim politik, refuzimin që Bulliqi ia ka bërë atij në propozimin për avancim në titull. Çela ka thënë se dokumentacioni i tij është valid.

“Po është mendim i tij politik [refuzimi i Shpejtim Bulliqit v.j] edhe unë s’dua ta komentoj këtë çështje. Dokumentacioni im që është, është valid, është i qasshëm edhe në të gjitha databazat shkencore. Unë punoj që katër vite aty, edhe nuk dëshiroj ta komentoj dhe ta polemizoj këtë çështje”, kishte thënë Çela për Insajderin.

Zëdhënësi i Komisionit për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës ishte shprehur i bindur në përgatitjen e tij për të marrë titullin “Profesor Asistent”.

“Unë kam qenë i përgatitur për këtë punë. Edhe forma se si ka ardhë ai në komision ka qenë i lidhur me procesin. Unë kam me e vazhdu punën time profesionale, pavarësisht nuk do të ndalem. Do ta përcjelli rregullin dhe bazën ligjore, do të eci tutje”, ishte shprehur Çela.

Pasi Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit Akademik vendosi që t’i japë dritën e gjelbër propozimit që Tomor Çela të marrë titullin “Profesor Asistent”, mbetet që Senati i Universitetit të Prishtinës të vendosë për këtë vendim.

Çela ka qenë pjesë e Komisionit për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, i cili u krijua nga Qeveria e Kosovës më 23 dhjetor 2016./Insajderi.com