Profesori i “Universum” flet për SMS-të që kishte shkëmbyer me anëtarin e komisionit për akreditim

Profesori i “Universum” flet për SMS-të që kishte shkëmbyer me anëtarin e komisionit për akreditim

Profesori i kolegjit “Universum”, Agon Demjaha, ka dhënë dëshminë e tij, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me disa SMS, që kishte shkëmbyer me profesorin Andrew Goodspeed, shtetas i huaj, që kishte qenë anëtar i komisionit për akreditim.

Dëshmia e tij është dhënë në vazhdimin e gjykimit që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi si dhe Armend Muja.

Këta SMS ishin shkëmbyer lidhur me raportin e akreditimit për programin e gjuhës angleze në kolegjin “Universum”.

Lidhur me këta SMS, ai ka deklaruar se i kishte bërë me autorizimin e menaxhmetit të “Universum”-it, të cilët kishin qenë në dijeni për përmbajtjen e tyre.

I pyetur nga avokati mbrojtës i Basri Mujës, nëse ka dëgjuar se ka kërkuar dikush beneficione në AKA për akreditim, dëshmitari është përgjigjur se biseda të tilla ka pasur.

Dëshmitari ka deklaruar se përmbajtja e SMS-ve të shkëmbyer i kujtohet pjesërisht, duke thënë se ekspertin Goodspeed e kishte njohur në rrethana të tjera dhe e ka pyetur se pse po vonohet raporti i akreditimit, meqenëse më herët kishte pasur raporte të mira me të.

Demjaha ka thënë Goodspeed i kishte thënë se raporti është gati dhe se po pret dritën e gjelbër nga AKA-ja.

Profesori Demjaha ka deklaruar se e din se është investuar shumë nga ana e menaxhmetit të “Universum”, për akreditimin e programit të gjuhës angleze dhe se ishin sjellë se paku dy profesorë nga jashtë, një prej tyre nga Oxford, në mënyrë që përgatitja të ishte sa më e mirë, si dhe ka shtuar se sipas menaxhmetit, të njëjtit kishin plotësuar kushtet për akreditim dhe se po vonohej raporti në krahasim me standardet e mëparshme.

Kurse, i pyetur nga prokurori Abdurrahim Islami se a i ka plotësuar, sipas dëshmitarit, kushtet ky kolegj, ai u përgjigj duke thënë se nuk është ekspert për të dhënë vlerësim.

Në një SMS, dëshmitari ka thënë se Goodspeed i duket se ka thënë se ata po kërkojnë ta ndryshojnë raportin duke iu referuar AKA-së.

Sipas dëshmitarit, arsyeja e komunikimit me SMS ka qenë vonesa e raportit, pasi që nuk e kanë ditur a është akredituar apo jo programi dhe lidhur me këtë kanë qenë të brengosur.

Më pas, i janë ofruar dëshmitarit tekstet e përshkruara në gjuhën shqipe dhe atë anglezë të SMS-ve të shkëmbyer

Sa i përket gjuhës angleze, ai ka thënë se teksti që është shkëmbyer është i njëjtë, kurse sa i përket në gjuhën shqipe, ka shtuar se nuk dëshiron të hyjë në rolin e përkthyesit, por që sipas tij, janë të ngjashme.

Për tekstet e ofruara, ai ka deklaruar se janë të vërteta, por ka mundësi që të këtë më shumë porosi se sa ato që kishte përpara tij.

Në një ndër SMS, Goodspeed kishte shkruar: “Përshëndetje, Agon, të jem i sinqertë rekomandimi im fillestar ka qenë akreditimi për një vit, me inspektim të mëvonshëm. Por, AKA ka rregulla specifike për angazhim dhe kontratat tona na detyrojnë t’i respektojmë ato. Më vjen keq, se mund të ishte program i mirë. Gjithë të mirat, Andrew.”

I pyetur nga avokati mbrojtës i Basri Mujës, Bajram Tmava, se për çfarë rregulla specifike është fjala në këtë SMS, dëshmitari ka deklaruar se nuk i din rregullat e AKA-së.

Dëshmitari ka shtuar se Goodspeed, nuk i ka thënë se bëhet fjalë as për draft rekomandim e as për rekomandimin përfundimtar, mirëpo i ka thënë që fillimisht ka menduar të propozojë që programi i gjuhës angleze të akreditohet për një vit.

Avokati mbrojtës i Ferdije Zhuzhi- Etemi, Gëzim Kollçaku, i ka thënë dëshmitarit se gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar dy apo tre herë lidhur me SMS-të ku Goodspeed ka thënë se AKA po kërkohet të ndryshohet raporti, kurse në tekstin e përmbajtjes nuk figuron një konstatim të tillë, derisa dëshmitari është përgjigjur se në SMS-të që i janë ofruar nuk i ka parë as ai, por sipas tij, mund të ketë porosi të tjera.

Ndërsa, e akuzuara Zhuzhi-Etemi, ka kërkuar që dëshmitari të sqaroj pjesën e SMS-ve ku thuhet se po pritet drita e gjelbër nga AKA-ja, për ta dërguar raportin, pasi në SMS nuk figuron një deklaratë e tillë.

Dëshmitari ka thënë se nuk është i sigurt që ky është i gjithë komunikimi që ka pasur me profesorin.

“Unë e kam të ngulitur se është vonuar raporti, unë e kam pyetur pse është vonuar, dhe ata kanë thënë po presim dritën e gjelbër nga AKA. Nuk garantoj që ka qenë kështu. Nuk e kam 100% që të njëjtën ma ka thënë profesori”, ka është përgjigjur dëshmitari në pyetjet e Ferdije Zhushi-Etemit.

Ndërkohë, lidhur me këta SMS, dëshmitari Demjaha, ka deklaruar se është shokuar kur ka kuptuar se ata janë përgjuar, pasi që sipas tij, nuk ka qenë në dijeni se Kosova mund të përgjojë telefona të Maqedonisë.

Prokurori Abdurrahim Islami, ka deklaruar se nuk e din ku dëshmitari e ka marr këtë konkluzion se janë përgjuar dy numra të telefonit të Maqedonisë.

Sipas dëshmitarit, ka shtuar se nuk ka parë urdhëresë për përgjimin e telefonit të tij në numra të Maqedonisë.

Dëshmitari ka thënë se nuk është ekspert i lëmit dhe nuk e din a ka pasur urdhëresë për përgjimin e tij, apo nëse është përgjuar Goodspeed, duke shtuar se nuk e ka pyetur askush nëse mund të përdoren si dëshmi këta SMS të shkëmbyer.

Profesori Demjaha, ka deklaruar se ka dhënë dëshmi në polici lidhur me mos akreditimin e programit të gjuhës angleze në kolegjin “Universum”, duke shtuar  se detajet mund të mos i kujtohen, mirëpo qëndron prapa deklaratës së dhënë.

Sa i përket deklaratës së dhënë në polici, dëshmitari ka thënë se është ftuar të diskutohet lidhur me këta SMS dhe se është informuar se është hapur proces gjyqësor kundër AKA-së, mirëpo nuk është informuar se është dëshmitar.

“Më duket se e kam nënshkruar deklaratën e dhënë, mua as nuk më është përmendur që të dëshmoj, më ka treguar që më ka ftuar të diskutojmë lidhur me SMS dhe se është hapur proces kundër AKA-së, por nuk më është thënë se jam dëshmitar. Nuk e mbaj mend më kanë njoftuar për të drejtat e mia si dëshmitar”, ka thënë ai.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 10 prill, me fillim nga ora 14:00.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Basri Mujën, Ferdije Zhushi – Etemin dhe Armend Mujën për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 2,500.000 euro, kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve. Tutje sipas aktakuzës i akuzuari Basri Muja për mos tërheqje të akreditimit për kolegjin në fjalë, ka kërkuar 50.000.00 euro për vitin e parë, 150.000.00 për vitin e dytë, ndërsa për vitin e tretë 50:50 nga fitimi.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Basri Muja dhe Ferdije Zhushi – Etemi i kanë shkaktuar dëm edhe Kolegjit “ISPE”, në atë mënyrë që kanë kërkuar përfitim me të holla për akreditimin e programeve. Në fillim kanë kërkuar përfitim prej 10.000.00 euro për një program, ndërkaq gjatë vitit 2011 kanë kërkuar shumën prej 20.000.00 eurove.

Aktakuza e ngarkonte edhe të pandehurin Naim Braha, aksionar në Kolegjin “Vizioni për arsim” në Ferizaj, për dhënie ryshfeti, pasi që për akreditimin e dy programeve i ka dhënë 10.000.00 euro të pandehurit Basri Mujës, por për veprën penale në fjalë ka arritur parashkrimi dhe ndaj tij është pushuar procedura penale.