Profesoresha universitare që deshi të bëhej skiatore olimpiste

Profesoresha universitare që deshi të bëhej skiatore olimpiste

Arkeologia dhe profesoresha universitare Edi Shukriu ka uruar skiatorin Albin Tahiri për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut. Me këtë rast ajo ka treguar edhe për pasionin e saj për këtë sport.

Postimi i plotë:

Urime për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2018! (Mbase për dikë duket hap i vogël). Deri në mëngjez e prita Albin Tahirin se realizonte ëndrrën për përfaqësimin e shtetit tonë, por edhe ëndrrën time rinore. Skijonim familiarisht me skijat prej druri të rinisë së babait tim, pastaj u bëra kampione në gara të përbashkëta në Struzhje (1967, 1968) dhe isha femra e vetme në garat në Brezovicë (1968) dhe sot gëzohem kur i shoh në numër të madh. Po i shënoj këto se ka mjerisht mjaft që mendojnë se bota nis me ta. Edhe në diplomaci i kam shfrytëzuar këto fakte, si dhe të qenit arkeologe, se linte përshtypje që nuk na shihnin me shami e dimija. Natyrisht se e paramendoja veten si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Dimërore, por kur më kujtohej se duhej të qëndroja në piedestal duke dëgjuar himnin e ish Jugosllavisë ‘Hej slloveni jos ste zivi’ e harroja ëndrrën. Dihet se e doja himnin kombëtar, por edhe ky i Kosovës është një hap i ndryshimeve të mëdha. Thoshte nëna ime Gitë si NDSH-iste dhe e burgosur: ‘Ne kemi bërë sa kemi mundur, nëse mundeni bëni më shumë!’ FLM Albin Tahiri!