“Problemi i demarkacionit është i brendshëm, s’ka të bëjë me Malin e Zi”

“Problemi i demarkacionit është i brendshëm, s’ka të bëjë me Malin e Zi”

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të merrte dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës për shkak të mendimeve të ndryshme mes grupeve parlamentare, dhe nuk pritet që kjo të kalojë shpejtë, ka vlerësuar analisti politik, Azem Vllasi.

Ai shton se kjo nuk ka asnjë lidhje me Malin e Zi dhe se marrëdhëniet vazhdojnë të mbesin të mira, mirëpo mosmarrëveshjet politike mes partive vazhdojnë të bllokojnë çështjen e demarkacionit.

“Të gjitha grupet parlamentare e përsërisin vazhdimisht atë që është e vërtetë, se Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte miqësore. Megjithatë, janë problemet mes grupeve parlamentare, por asnjëri nuk është i zemëruar me Malin e Zi. Kjo çon në hapin tjetër. Nëse Mali i Zi do të pranonte që së bashku dy shtetet t’i drejtohen arbitrazhit, dhe gjykata e arbitrazhit sipas të gjitha gjasave do të konfirmonte atë që veçse është nënshkruar, apo nëse Podgorica do të bisedonte edhe njëherë me Prishtinë e madje edhe nëse marrëveshja përfundimtare do të ishte e njëjtë, mendoj se demarkacioni do të kalonte menjëherë”, ka thënë Vllasi.

“Dikush duhet të shpëtojë fytyrën dhe siç duket, ai është kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj. Sa ishte në opozitë, shkaktoi problemin më të madh rreth kësaj teme, e tani gjendet në rolin e kryeministrit i cili duhet të zgjidhë këtë çështje dhe thjesht nuk ka mënyra për të kryer ‘salto mortale’ dhe të bëhet kinse gjithçka është mirë, kështu që hajde ta ratifikojmë atë”, ka shtuar Vllasi për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, transmeton koha.net.

Ai sqaron se koalicioni qeverisës në vend ky një shumicë të thjeshtë.

“Duhet pasur parasysh se edhe përfaqësuesit e pakicës serbe kanë thënë se guxojnë të votojnë për shkak të Beogradit, sepse me këtë do të njihnin Kosovën shtet të pavarur. Për këtë, nuk ka vota për ratifikim. Këto janë krejtësisht çështje të brendshme dhe nuk kanë të bëjnë me raportet me Malin e Zi”, porositi analisti Vllasi.