Probleme për Bunjakin: Lojtarët e Kosovës po bëjnë si Ronaldo e Messi

Kombëtarja e Kosovës është e tejmbushur me futbollistë ofensivë dhe për Albert Bunjakin, problem nuk është vetëm kush do të ulet në stol gjatë këtyre eliminatoreve.

Probleme për Bunjakin: Lojtarët e Kosovës po bëjnë si Ronaldo e Messi

Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i Kosovës nuk ka ngurruar të kritikojë publikisht lojtarët e tij, raporton Insajderi.

“Ne kishim një problem shumë të madh në stërvitje. Qëllimi i seancës stërvitore ishte mbrojtja, por pranë fundit të saj, ishte vetëm sulm, sulm, sulm. Ishte sikur unë të kisha 23 sulmues”.

“Gjatë drekës, unë i shkrova lojtarëve në një tabelë: A jeni të lumtur me atë që keni bërë sot? Mua më nevojitet që të jenë kompaktë së bashku, pasi për momentin, ata duket sikur nuk janë të tillë. Të gjithë po mundohen të bëjnë si Ronaldo apo Mesi”, ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses drejtuar futbollistëve të përzgjedhur nga vetë ai për ndeshjen me Finalndën.

Kuptohet që kjo situatë ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore dhe gazeta britanike “The Guardian” nuk ka ngurruar ta theksojë këtë problem me të cilin përballet trajneri dhe këto fjalë të tij.

Duke pasur në dispozicion shumë lojtarë me tipare ofensive, Bunjakit do t’i duhet të sakrifikojë disa prej tyre, pasi do të jete e pamundur që të aktivizojë që nga minuta e parë të gjithë së bashku emra si Muriqi, V. Berisha, B. Berisha, Rashica, Meha, Shala, Celina dhe Bunjaku.

Se sa prej tyre do të pranojnë stolin, do të jetë një shqetësim tjetër me të cilin trajneri i Kosovës do të përballet në të ardhmen. /Insajderi.com