Pro-serbët në Mal të Zi mbledhin nënshkrime për të anuluar njohjen e Kosovës

Pro-serbët në Mal të Zi mbledhin nënshkrime për të anuluar njohjen e Kosovës

Partitë pro-serbe në Mal të Zi, anëtare të Frontit Demokratik të opozitës, së bashku me Këshillin Kombëtar Serb, thanë se do të nisin këtë javë mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e vendimit të Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nisja e peticionit u paralajmërua nga Partia Popullore Demokratike, anëtare e Frontit Demokratik, anëtarët e së cilës, nën udhëheqjen e kryetarit Millan Knezheviq, vizituan të dielën Mitrovicën e Veriut, me ftesë të kryetarit të këtij qyteti, Goran Rakiq.

Partia Popullore Demokrarike tha se “së paku 85% e qytetarëve të Malit të Zi nuk e mbështesin njohjen e rreme të shtetit të Kosovës”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën tetë muaj pasi ajo ka shpallur pavarësinë, përkatësisht në tetor të 2008-ës.