Artikull i sponzorizuar

Privatizimi: bilanci i një procesi

Privatizimi: bilanci i një procesi

Procesi i privatizimit në Kosovë nuk është i krahasueshëm me privatizimet në shtetet tjera, për shkak të specifikave të veta politike dhe ekonomike dhe nuk ka qenë uniform në të gjithë rajonin, pasi që pozicionet fillestare kanë qenë të ndryshme. NSH-të e Kosovës janë dezintegruar për më tepër se një dekadë nga masat e dhunshme para luftës. E tërë makineria funksionuese në fabrikat me nam në Kosovë gjatë gjithë asaj kohe është shkatërruar pothuajse në tërësi, dhe objektet ekzistuese duke qenë pa mirëmbajtje dhe asnjëfarë kujdesi janë rrënuar dhe amortizuar. Kosova është shtet që ka pësuar shumë gjatë luftës dhe NSH-të nuk kanë qenë të përjashtuara nga ky proces.

Pas përfundimit të luftës, procesi i privatizimit u ndoq më tej nga vështirësitë e krijuara nga shkatërrimi i pasurive shoqërore dhe erozioni i vlerës ekonomike. Për më tepër, një numër i madh i fabrikave është ndërtuar për tregje specifike, ato të ish Jugosllavisë të cilat pas luftës kishin humbur tregjet tradicionale dhe tregu aktual ishte dominuar nga produktet e shteteve të huaja. Të gjitha çështjet e përmendura më lartë e bëjnë privatizimin në Kosovë specifik e gjithashtu paraqesin një problem të përgjithshëm për AKP-në.

Me gjithë vështirësitë dhe pengesat e njëpasnjëshme që Serbia i paraqiste në vazhdimësi me pretendimet e saj kreditore për Ndërmarrjet Shoqërore, Kosova kishte arritur të filloj procesin e privatizimit duke themeluar Agjenci të Pavarur të Privatizimit. Ndërkaq për të gjitha kërkesat Kreditore dhe Pronësore  kishte themeluar Dhomën e Veçantë e Gjykatës Supreme.

Donatori kryesorë në procesin e Privatizimit në Kosovë ishte fillimisht nga BE shtylla e IV-të e UNMIK-ut e pararendëse e AKM-së dhe donatorët e tjerë si USAID etj. AKM e përfundoi mandatin e saj në vitin 2008 me Shpalljen dhe Kurorëzimin e Pavarësisë së Kosovës. Pas pavarësimit të vendit, në qershor të vitit 2008 Agjencia Kosovare e Privatizimit u themelua nga Kuvendi i Republikës së  Kosovës me mandat të qartë të transformimit të pronës shoqërore të regjistruara në emër të ish Ndërmarrjeve shoqërore, transformim ky i rëndësishëm në rindërtimin dhe zhvillimi ekonomik të Kosovës dhe mirëqenies së qytetarëve.

AKP nga privatizimi i aseteve të ndërmarrjeve shoqërore ka grumbulluar rreth 661 milionë €uro, me gjithsej 1,295 asete të shitura. Nga ky fond deri më tani janë paguar në emër të 20% për punëtorët e kualifikuar rreth 110 milionë euro ndërkaq në emër të kërkesave kreditore janë paguar rreth 20 milionë euro.

Pas privatizimit të një ndërmarrje shoqërore, pra pas shitjes së të gjitha aseteve, ajo ndërmarrje i nënshtrohet procesit të likuidimit me ç’rast të gjitha kërkesat e punëtorëve të kualifikuar për 20% dhe kërkesat kreditore duhet përmbushur. Pas shlyerjes së këtyre kërkesave dhe obligimeve të tjera financiare fondet tepricë të mbetura nga shitja e asaj ndërmarrje derdhen në buxhetin e Kosovës. AKP ka derdhur në buxhetin e Kosovës nga fondet tepricë deri më tani mbi 90 milion euro.

Fondi rezervë nga privatizimi në shumën prej 464 milionë euro mbahet në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë  Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së, bashkë me Qeverinë e Kosovës, kanë shqyrtuar mundësitë ligjore të përdorimit të këtyre mjeteve të deponuara nga procesi i privatizimit në BQK për qëllime të projekteve zhvillimore në të mirën e vendit, por të kujdesshëm në të njëjtën kohë për obligimet që AKP ka karshi ish-punëtorëve dhe kreditorëve të njohur.