Pritet riprocedimi i demarkacionit në sesionin vjeshtor

05.09.2016 08:42

Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, menjëherë pasi të fillojë sesioni vjeshtor.

Pritet riprocedimi i demarkacionit në sesionin vjeshtor

Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk kanë afat kohor se kur do ta riprocedojnë në organin ligjvënës, por kjo do të ndodh shumë shpejt, për shkak të proceseve të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, thotë se në ditët e ardhshme pritet edhe të konsultohen me partnerët e koalicionit para riprocedimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka kohë të caktuar, por për shkak të proceseve të rëndësishme si rasti i liberalizimit të vizave, duhet ta rikthejmë në Kuvend sa më parë që të jetë e mundur. Besoj pas konsultimeve në ditët e ardhshme në mes të partnerëve të koalicionit”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”.

Në seancën e së enjtes kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tërhoqi këtë projektligj, duke thënë se një grup parlamentar ka kërkuar koncesione si kusht për ta votuar Demarkacionin.