Vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë Mesdheun ditët e fundit ka detyruar autoritetet në shumë vende të lëshojnë paralajmërime për rreziqet nga temperaturat e larta.

Pritet përkeqësim i situatës nga i nxehti në Evropë

Pritet përkeqësim i situatës nga i nxehti në Evropë

Vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë Mesdheun ditët e fundit ka detyruar autoritetet në shumë vende të lëshojnë paralajmërime për rreziqet nga temperaturat e larta.

Italianët e kanë pagëzuar si Lusiferi të nxehtin që ka shkaktuar ngritjen e alarmit të kuq në shumë qytete, përfshirë Romën, Firencen dhe Venecian në Itali. Turistët në qytetin e përjetshëm shfrytëzuan shatërvanët e shumtë të Romës për tu freskuar, ndërsa termometri shënoi 41 gradë celsius. Në ishullin popullor të Sardenjës mërkuri preku 42 gradët.

Autoritetet franceze ngritën alarmin portokalli, i dyti më i lartë pasi juglindja e vendit dhe ishulli i Korsikës u prekën nga temperatura mbi 40 gradë celsius. Shërbimet zjarrfikëse po qëndrojnë në gjendje gadishmërie, një javë pasi flakët përfshinë pjesë të ishullit në Mesdhe.

Temperatura rekord janë shënuar gjithashtu në Spanjë, Kroaci e Portugali. Sipas ekspertëve, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë javën tjetër, kur disa rajone do të preken nga vala më e fortë e të nxehtit për këtë verë. Autoritetet i bëjnë thirrje në veçanti të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të konsumojnë sa më shumë lëngje, të qëndrojnë në shtëpi në orët e pikut, të mbajnë veshje të holla e të qëndrojnë të freskët.

Edhe pse është e vështirë të sigurohen të dhënat e sakta, i nxehti mendohet të jetë përgjegjës për qindra vdekje, veçanërisht mes të moshuarve e atyre që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Zyra Qendrore e Statistikave në Holandë vlerëson se mesatarisht 200 holandezë më shumë do të vdesin çdo javë nga vala e të nxehtit, një rritje me 10% kjo.

Vala e të nxehtit në vitin 2003 mendohet të ketë shkaktuar 70 mijë raste vdekjesh në Francë e vende të tjera europiane.